Gazeta Si – Për herë të parë Pirro Dhima ka reaguar pas akuzave të presidentit te Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, se dopingu i Evangjeli Velit ka ardhur nga Greqia dhe konkretisht nga vëllai i ish-peshëngritësit, Odise Dhima.
Në një artikull të ‘insidethegames.biz’, me autor Brian Oliver, Pirro Dhima thekson se Elez Gjoza është një nga ata persona, për të cilët peshëngritja nuk ka nevojë. Ai e quan një shaka, një rrëmujaxhi kreun aktual të FSHP-së.

Dhima ka thënë gjithashtu se Greqia nuk do të marrë pjesë në dy veprimtari që janë në program të zhvillohen në Shqipëri, sepse askush nuk ndihet i sigurt me një drejtues si Gjoza. Në tetor organizohet në Durrës Europiani i të rinjve deri në 23 vjeç, kurse vitin e ardhshëm do të zhvillohet Botërori i të rinjve në Tiranë.
“Ky person (Gjoza) është një shaka, një rrëmujë që nuk na duhet në peshëngritje. Nuk na duhen njerëz si ai”, – tha fillimisht Dhima, i cili është edhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të IWF-së.
“Është e trishtë, sepse është hera e dytë me të njëjtin person (Gjoza ka fajësuar Greqinë për dopingun edhe më parë), por këtë herë Federata Greke e Peshëngritjes do ta çojë në Gjykatë çështjen”, – shton Pirro Dhima.

Më tej ish-peshëngritësi, kampion olimpik me Greqinë, u shpreh: “Disa njerëz më trajtojnë si tradhtar në Shqipëri dhe ky është justifikimi më i mirë për të (Gjozën)”.
Pirro Dhima pohon në artikull se ka informuar organizmat më të larta ndërkombëtare të peshëngritjes për çështjen e Gjozës, Federatën Ndërkombëtare të Peshëngritjes (IWF), Federatën Evropiane të Peshëngritjes (EWF) dhe Agjencinë Ndërkombëtare të Testimit (ITA).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje