Si rrallë ndonjëherë në historinë e dy vendeve, Greqia dhe Turqia dolën të premten me një mesazh të përbashkët për të mos u bërë “kampe refugjatësh”.
Kryeministri i Greqisë Qiriakos Mitsotaqis dhe Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan zhvilluan një bisedë telefonike mbi kaosin në Afganistan dhe pasojat, që mund të jetë një valë emigrantësh. Telefonata mësohet se zgjati rreth 30 minuta.
Të dy udhëheqësit ranë dakord se kampet e refugjatëve duhet të ngriheshin në vendet fqinje të Afganistanit në mënyrë që afganët të qëndrojnë sa më afër shtëpive të jetë e mundur. Të enjten, Erdogan deklaroi se Turqia nuk do të bëhej një depo për refugjatët. E njëjta gjë vlen edhe për Greqinë, e cila ngriti gardhin në Evros për të parandaluar një valë të mundshme afganësh.
Greqia nuk dëshiron të bëhet pika hyrëse në Bashkimin Europian për afganët që ikin nga lufta në atdheun e tyre, tha të martën Ministri i Migracionit Notis Mitarachi.

Duke qenë një nga vendet europiane që mori më së shumti emigrantë pas krizës së migrimit të Europës në vitin 2015, kur gati një milion njerëz që ikën nga konflikti në Siri, Irak dhe Afganistan zbarkuan në ishujt e tij, në Athinë ka nisur ankthi se zhvillimet në Afganistan mund të shkaktojnë një përsëritje të asaj krize.
“Ne po themi qartë se ne nuk do të jemi dhe nuk mund të jemi porta e Evropës për refugjatët dhe emigrantët që mund të përpiqen të vijnë në Bashkimin Evropian”, tha Mitarachi për televizionin shtetëror ERT. “Ne nuk mund të kemi miliona njerëz që largohen nga Afganistani dhe vijnë në Bashkimin Europian … dhe sigurisht jo përmes Greqisë,” tha ai.
Nga ana tjetër, presidenti Rexhep Tajip Erdogan thotë se Turqia nuk ka asnjë detyrim të kthehet në parajsë të sigurtë për refugjatët afganë” deklaroi ai. “Nëse kemi një detyrim po, ai është të garantojmë kthimin e sigurtë të refugjatëve në vendlindjet e tyre”, shtoi presidenti turk.
Në fakt vitet e fundit, gjithnjë e më shumë politikanë turk kanë bërë thirrje për kufizime të reja mbi emigracionin, dhe ardhja e mijëra emigrantëve të tjerë nga Afganistani, që po i ikin dhunës në vendin e tyre nga ri-ngjitja në pushtet e Talebanëve, i ka rindezur tensionet.
Rikthimi në pushtet i talebanëve në Afganistan, po shtyn gjithnjë e më shumë qytetarë të vendit të pozicionuar në Azinë Qendrore, që të hyjnë territorin e Turqisë me një normë të vlerësuar prej gati 1.000 njerëz në ditë.

Në Turqi jetojnë aktualisht midis 200.000-600.000 afganë, të cilët kanë mbërritur në dekadën e fundit, për t’i shpëtuar dhunës dhe varfërisë. Nxitimi i dëshpëruar për të lënë Afganistanin e ka shqetësuar jo pak botën, sidomos pas asaj që ndodhi në Aeroportin Ndërkombëtar “Hamid Karzai”.
Ëndrra e shumë afganëve, të cilët po i ikin varfërisë dhe dhunës në rritje të talebanëve, është që të gjejnë punë dhe të jetojnë të sigurt diku tjetër. Është një ëndërr për të cilën ia vlen të rrezikosh.
Por presidenti Recep Tayyip Erdogan, u shpreh në një intervistë për televizionet “CNN Turk” dhe “Kanal D”, se Turqia nuk është një motel për emigrantët, dhe se vendi po merr të gjitha masat e nevojshme kundër një krize të mundshme të refugjatëve për shkak të situatës aktuale.
Ndër masat parandaluese është gjithashtu ndërtimi i një muri me gjatësi 156 kilometra përgjatë kufirit me Iranin, si dhe i një muri tjetër pranë kufirit me Irakun. Muri në kufirin Turqi-Iran, është pjesërisht i pajisur me pajisje të sofistikuara, siç është prania e sistemeve të ndriçimit përgjatë 109 kilometrave rrugë, dhe i sensorëve të aftë për të monitoruar lëvizjet përgjatë barrierës79 kilometra të gjatë.
Për të frenuar valën e re të refugjatëve, autoritetet kanë ndërtuar një sistem me 3 faza. Në të parin, kryhen veprimtaritë e vëzhgimit, patrullimit, kontrollit dhe pritës ndaj refugjatëve. Në fazën e dytë hyjnë në lojë komandot, ndërsa në fazën e tretë, në të cilën marrin pjesë Forcat e Armatosura dhe Xhandarmëria, emigrantët arrestohen dhe dëbohen nga vendi.
Turqia është vendi që mirëpret numrin më të madh të refugjatëve në botë, dhe midis tyre janë 3.6 milionë sirianë, shumica dërrmuese e të cilëve jetojnë në kushte të pasigurta për arsim dhe punë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje