“Mesazhi im sot është i qartë! Në linjën e kushteve të vendosura, le të ecim përpara me integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor brenda vitit 2023. Ky është një afat ambicioz, por jo i pamundur. Që tani jemi shumë vonë dhe hapi i parë duhet të jetë vendimi brenda dy javëve në Bruksel për të çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.
Ky është thelbi i një analize të gjatë të Kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis për gazetën Politico.eu. Në këtë analizë, shefi i qeverisë greke thotë se BE e ka shndërruar zgjerimin në një proces kompleks e të vonuar duke devijuar nga zotimet e 2003 të samitit të Selanikut.
“Në 2003-n, në Selanik BE i ofroi vizionin e integrimit dhe propozoi një proces që do të çonte në anëtarësim në familjen europiane të Ballkanit Perëndimor. Por, thuajse 20 vite kanë kaluar dhe procesi i anëtarësimit është bërë gjithnjë e më shumë kompleks e kërkues dhe vizioni është venitur në sytë e qytetarëve të shkurajuar e të demoralizuar”, thotë Mitsotakis.
Kryeministri grek mendon se vetëm zotimi me fjalë se Ballkani Perëndimor i përket BE-së nuk mjafton më. “Rajoni e interpreton këtë sjellje të BE si lodhje nga zgjerimi dhe ndryshim konstant objektivash. Tani në 2022, sërish në Selanik mesazhi im do të jetë i qart që të përmbushim vizionin që u ngjiz në 2003-in”, shkruan Mitsotakis.
Në lojë, sipas Mitsotakis nuk është vetëm e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, por vetë besueshmëria e Bashkimit Europian. “Duhet të ngremë besimin, ta rifitojmë atë duke dhënë shembullin që kur BE ngjiz një vizion, ajo ka qëllimin dhe kapacitetin që ta realizojë”, shton ai.
Kryeministri grek deklaron se këtë mesazh do ta mbrojë me forcë përpara Emmanuel Macron, Olaf Scholz dhe gjithë udhëheqësve të tjerë të BE-së, ndërsa mes rreshtave i referohet ndërhyrjes turke si një faktor që mund të destabilizojë rajonin.
“Në Ballkan, si kudo ka agjentë armiqësorë që synojnë të minojnë përpjekjet tona. Ata ndajnë vlera krejt të tjera me shkelje të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe lirive themelore. Gjuha e tyre është urrejtja, hakmarrja, përçarja dhe nostalgjia e imperializmit. Ata mendojnë se mund të shtypin shpirtin e njerëzimit duke e kërcënuar me forcën ushtarake. Nuk mund të lejojmë një vakum që të ushqejë idenë e këtyre faktorëve se mund të kenë sukses”, deklaron Mitsotakis.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje