Greqia ka vendosur sot të hapë kufijtë tokësorë me Maqedoninë e Veriut, por sipas vendimit të fundit të qeverisë greke do t’i mbajë të mbyllur ato me Shqipërinë deri më 24 maj,
Pas një takimi dypalësh në Athinë mes kryeministrit Zoran Zaev dhe kreut të qeverisë greke Qiriakos Mitsotaqis, vendi fqinj vendosi të lejojë pas më shumë se një viti hyrjen e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut nga pikat kufitare. Dy kryeministrat ranë dakord që për të hyrë në shtetin fqinj, shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të jenë të pajisur me pasaportën e vaksinimit, ku do të shënohen edhe të dhënat e testit PCR ose atij serologjik.
Plazhet greke tashmë janë hapur dhe vendi fqinj ka njoftuar është gati të presë turistët për pushime. Ai ka hapur kufijtë për të gjitha vendet europiane, SHBA-në, Rusinë, Kinë, Serbinë dhe së fundmi Maqedoninë e Veriut, por për Shqipërinë, raportet e fundit nga mediat greke theksojnë se nuk do të hapen të paktën deri në fund të muajit. Hapja e pikës kufitare Evzoni me Maqedoninë e Veriut vjen ndërkohë që një pjesë e deputetëve të partisë në pushtet, Demokracia e Re, po kërkojnë të hapen pikat kufitare me Shqipërinë.
Deputetët nga Follorina dhe Kosturi, dy rajone kufitare me Shqipërinë i bënë thirrje qeverisë të lejojë lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke thënë se mbyllja e kufijve me Shqipërinë po i kushton vendit fqinj miliona euro. Sipas mediave greke, deputetët thonë se vendi fqinj po pengon jo vetëm lëvizjen e turistëve shqiptarë drejt Greqisë por edhe atë të punëtorëve sezonalë. Por deri më tani Athina zyrtare nuk ka dhënë asnjë arsyetim përse po i mban mbyllur kufijtë me vendin tonë, duke thënë se kjo është çështje teknikaliteti.
Ndërkohë mbetet ende në fuqi vendimi për udhëtarët nga Shqipëria: Kufijtë me vendin tonë vijojnë të jenë të mbyllur përjashtuar Kakavijës, ku lejohen vetëm 400 persona të kalojnë në 24 orë.
Kufiri me Maqedoninë e Veriut hapet edhe pse situata nga Covid-19 në këtë vend është më e rënduar se në Shqipëri, sa u takon infektimeve, të shtruarve në spitale, humbjeve të jetës, si edhe procesit të vaksinimit i cili është shumë më mbrapa se në vendin tonë.
Shqipëria ka numrin më të ulët të të infektuarve në rajon, me vetëm 17 raste për 100 mijë banorë, ndërkohë që Maqedonia e Veriut ka më shumë se 25 raste për 100 mijë banorë. Në 24 orët e kësaj të enjteje, vendi ynë regjistroi vetëm 45 raste të reja, 3 viktima dhe 86 të shtruar, ndërkohë që Maqedonia e Veriut regjistroi 123 raste dhe 17 viktima. Vendi fqinj po regjistron prej një muaji më shumë se 10 viktima çdo ditë dhe pavarësisht rënies së rasteve, numri i vdekjeve vazhdon të jetë i lartë. Shqipëria ka nisur vaksinimin masiv që në mars dhe numëron më shumë se 600 mijë të vaksinuar, ndërsa Maqedonia e Veriut e nisi tre javë më parë dhe ka rreth 130 mijë të vaksinuar. Vendi ynë ka bërë po ashtu gati pasaportën e vaksinimit.
Mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ajo që është më afër kushteve të Bashkimit Europain për hapjen e kufijve, të cilat përcaktojnë se një vend i tretë duhet të ketë më pak se 5 raste për 100 mijë banorë, është vendi ynë. Por prej më shumë se dy herë Greqia ka shtyrë vazhdimisht hapjen e kufijve me vendin tonë edhe pse Shqipëria ka dalë nga zona e kuqe e Covid-19 dhe nuk është më pjesë e zonës së riskut, krahasuar me vende të rajonit dhe ato europiane.
Në një reagim të mëhershëm të Ambasadës së Greqisë në Shqipëri, dhënë për Gazetasi.al, thuhej se “kjo është vetëm faza e parë dhe me shumë gjasë, Shqipëria do të jetë shpejt në listën e vendeve, që mund të udhëtojnë lirisht drejt Greqisë”.
“Është një program, i cili parashikon hapje në disa faza. Mundësisht Shqipëria do të jetë shpejt pjesë e vendeve që do të udhëtojnë lirisht drejt Greqisë. Sipas opinionit tonë, kjo pritet të ndodhë shpejt. Në këtë fazë, Shqipëria nuk bën pjesë në listën e vendeve të lira, për shkak të të dhënave epidemiologjike. Është Komiteti i Ekspertëve që vendos se cilat vende mund të jenë në këtë listë nisur nga të dhënat, nga pikëpamja epidemiologjike”, u shpreh Alexandros Bouzis, përgjegjës për marrëdhëniet me publikun dhe median në Ambasadën Greke.
Ai shpjegoi se, “në këtë fazë të parë në listë janë përfshirë vende europiane, plus vende si Izraeli, Austria, Zelanda e Re apo SHBA, vende me të dhëna të mira nga pikëpamja epidemiologjike.”
“Mbase Shqipëria do të jetë pjesë e listës në fazën tjetër, sepse duhet dhe pak më tepër përmirësim:, shtoi ai për Gazetasi.al.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje