Bota

Greqia përfshihet nga zjarre të mëdha. Italia vuan nga thatësira, përmbytje në Australi

Gazeta Si – Greqia është përfshirë nga dhjetëra vatra zjarri në zona të ndrysmë të vendit. Mediat greke raportojnë se më e goditur është zona pyjore e Porto Germenos në Atikë.

Pesë avionë dhe 6 helikopterë kanë operuar ga ajri, ndërsa 130 zjarrfikës po luftojnë drejtpërdrejt me flakët, teksa era iu vështirëson punën. Autoritetet lokale kanë urdhëruar për nisjen e evakuimeve të popullsisë në  vendbanimin Mytika.

“Nëse jeni në Mytika, evakuohuni tani në Psatha. Ka zjarri në pyll në zonën tuaj”, thuhet një njoftimin e lëshuar nga policia. Ndërkohë, edhe në disa akse rrugore aty pranë është ndaluar qarkullimi.

Erërat e forta veriperëndimore që fryjnë në zonë po e shtyjnë zjarrin drejt Psatha-s , ndërsa zjarrfikësit po bëjnë një përpjekje për të ndaluar përhapjen.

Ndërkohë, qeveria italiane ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për zonat përreth lumit Po për shkak të temperaturave të larta dhe thatësirës.

Zona përbën afërsisht një të tretën e prodhimit bujqësor të vendit dhe po vuan thatësirën më të keqe në 70 vjet.

Gjendje e jashtëzakonshme u urdhërua për menaxhimin e situatës në pesë rajone veriore, Emilia-Romagna, Friuli Venezia Giulia, Lombardia, Piemonte dhe Veneto, duke caktuar një fond fillestare ndihme prej 36.5 milionë eurosh.

Dekreti i qeverisë, do t’i lejojë autoritetet të shkurtojnë burokracinë dhe të ndërmarrin veprime menjëherë nëse e mendojnë të nevojshme, si për shembull vendosjen e racionimit të ujit për shtëpitë dhe bizneset.

Synimi i qeverisë ndërlidhet edhe me ruajtjen e prodhimeve bujqësore.

Ndërkohë në Australi shirat e rrëmbyeshëm kanë vijuar të godasin vendin duke shkaktuar përmbytje të mëdha.

Rreth 50 mijë banorëve në pjesët perëndimore të kryeqytetit iu është kërkuar të lënë shtëpitë e tyre.

Qeveria Federale atje i ka shpallur përmbytjet një katastrofë natyrore dhe kjo gjë ka ndihmuar që qytetarët atje të marrin mbështetje emergjente financiare.

Disa pjesë të Sidnejit janë përballur me reshje të mëdha të shiut në katër ditët e fundit.

Rrugët janë bllokuar dhe disa shtëpi janë përmbytur, teksa mijëra persona kanë mbetur pa energji elektrike.

Vërshimet në mbarë Australinë që janë nxitur nga fenomeni i motit i njohur si La Ninja lanë të paktën 20 të vdekur vitin e kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë