Bota

Greqia zhvendos emigrantët në kampe të reja

Greqia ka filluar të martën zhvendosjen e emigrantëve në objekte “të mbyllura” në ishujt e saj. Objektet janë financuar nga Bashkimi Europian.

Ato i zëvëndësojnë kampet e improvizuara të cilat nuk kishin kushte të mira dhe nuk ofronin mundësinë e një kontrolli më të madh. Shpesh herë kanë ndodhur incidente brenda tyre.

Megjithatë aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se kampet e reja u ngjajnë burgjeve.

Dy rreshta me gardh me tela me gjemba rrethojnë kampin e ri Zervou në ishullin Samos të Egjeut, i projektuar për të strehuar 3.000 njerëz. Ky kamp ka edhe kamera vëzhgimi, skanerë me rreze dhe dyer magnetike.

Objekti i ri u hap pas pak më shumë se një viti pasi zjarri shkatërroi kampin famëkeq të mbipopulluar të Morias në ishullin Lesbos.

Ky kamp ishte vendbanimi më i madh i emigrantëve në Europë. Zjarri nxiti një eksod kaotik të më shumë se 12,000 njerëzve.

Greqia thotë se kampet e reja në Samos, Leros, Lesbos, Kos dhe Kios synojnë të trajtojnë mbipopullimin, kushtet e këqija higjienike dhe krimin që kishte përfshirë disa prej kampeve të improvizuara.

Bashkimi Europian ka ndarë 276 milionë euro për kampet e reja në ishujt grekë. Këta ishuj janë porta e parë për emigrantët që shkojnë përmes detit nga Turqia fqinje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë