Politike

“Gridare, gridare…ohoo”, Meta për Grida Dumën: Rama t’i kërkojë ndjesë për sulmin ordiner

Janë dy momente që sollën reagimin e Presidentit Ilir Meta në daljen e të mërkurës të kryeministrit Edi Rama që u zgjat pas masë në një fushatë negativiste ndaj kandidatëve të PD-së duke i vënë përballë emrave të PS.

Fillimisht Meta reagoi kur Rama e vuri atë përballë me Etilda Gjonaj.

Reagimi i dytë është ai i së enjtes ndaj një tjetër episodi të Ramës kur vuri përballë kandidatin e tij Etjen Xhafaj me Grida Dumen dy kundërshtarët politike në Kavajë.

Për Grida Dumën, Rama kishte shkëputur një moment, kur ajo fliste me gojën hapur gjatë një fjalimi, ndërkohë që mbante mikrofonin para.

“Ja Kavaja, me Etjenin? Që ka bërë një rrugëtim pa i ndarë studimet dhe që nuk pranoi asnjë post për të vazhduar studimet apo me “Gridare, gridare, gridare ohoho”, tha Rama që në shqip do të thotë “bërtit bërtit” .

Grida Duma nuk i ktheu përgjigje, por reagoi zyrtarisht në emër të PD-së se Rama kishte dështuar dhe se në mungesë të një bilanci të qeverisë së tij po ndërmerrte një fushatë denigruese ndaj kundërshtarit.

Replika mbeti me aq, ndërsa Presidenti Ilir Meta ka kërkuar që çështja të merret seriozisht.

“E dënoj me ashpërsi dhunën verbale dhe linçimin publik, të papranueshëm për traditën shqiptare dhe çdo shoqëri demokratike, të bërë ndaj zonjës, njëherazi nënë e një fëmije të mitur, Grida Duma.

Asnjë ndarje politike nuk mund t’i japë të drejtë revanshit të rrugaçërisë, për më tepër kur këto sulme të papranueshme për moralin njerëzor dhe etikën institucionale, konsumohen nga personat e veshur me autoritetin e shtetit.

Duke besuar në reagimin e fuqishëm të shoqatave që angazhohen për mbrojtjen e të drejtave të grave, i bëj thirrje Kryeministrit ende në detyrë, të kërkojë ndjesë publike dhe të tërheqë mbrapsht sulmin dhe fjalorin ordiner të përdorur ndaj zonjës Duma”, shkruan Ilir Meta në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë