Politike

Grumbullimet mbi 10 vetë. Kushtetuesja zbardh vendimin: Pse duhen afate për kufizimet

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin me anë të të cilit i kërkon Qeverisë që të vendosë afate në aktin normativ të fundit të nëntorit të vitit të kaluar, e përmes të cilit vendoset kufizimi i grumbullimeve të jo më shumë se 10 vetave në ambiente të hapura dhe të mbyllura.

Akti i Ministrisë së Shëndetësisë u ankimua në Kushtetuese nga Partia Republikane me pretendimin se ai binte ndesh me një sërë nenesh të Kushtetutës, Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe të vendimeve të Gjykatës së Strasburgut.

Në vendimin e marrë me shumicë pesë me dy, Gjykata Kushtetuese rrëzon të gjitha pretendimet e Partisë Republikane me përjashtim të atij që ngre si shqetësim mungesën e afateve në aktin normativ të Qeverisë e të miratuar nga Kuvendit.

Pasi vë re se akti normativ cenon dhe kufizon një sërë të drejtash, por duke i justifikuar këto kufizime e shkelje me situatën e pazakontë të shkaktuar nga Covid-19, Gjykata Kushtetuese thotë se përkohshmërëia është elementi karakteristik i çdo kufizimi të të drejtave.

“Në këtë këndvështrim, krahas numrit të kufizuar të personave që lejohen të grumbullohen, mënyrat alternative të ushtrimit të lirisë së shprehjes dhe të së drejtës së tubimit e justifikojnë konceptin e kufizimit të përkohshëm të tyre. Megjithatë, kur këto kufizime zgjasin pa afat, duke humbur karakteristikën e përkohshmërisë dhe për kohëzgjatjen e pacaktuar nuk jepet justifikim, ato shndërrohen në ndalim tërësor të kësaj të drejte, duke zbehur rolin që luajnë mënyrat alternative”, thotë Gjykata.

Partia Republikane kishte ngritur pretendime se akti normativ zbatohej politikisht për të penalizuar partitë opozitare dhe penguar takimet e tyre me qytetarët. Por, Gjykata Kushtetuese vëren se nuk ka asnjë gjobë të marrë nga autoritetet në rastet kur në këto takime janë respektuar rregullat e përcaktuara në këtë akt, si jo më shumë se 10 veta, maska dhe distanca fizike.

Sa i takon Ministrisë së Shëndetësisë, Gjykata e ngarkon atë me detyrën që të shoqërojë me raporte shpjeguese akte të tilla në mënyrë që qytetarët ta kenë më të lehtë të vlerësojnë nëse një kufizim i caktuar përmbush parimet dhe standardet kushtetuese. Gjithashtu, Kushtetuesja vëren se ndryshimi i shpeshtë i rregullave rrit paqartësinë në këtë drejtim.

Gjykata vëren se liria e mbledhjeve dhe tubimeve nuk cenohet, pasi urdhri lejon grumbullimet deri në 10 persona dhe për më tepër nuk pengon organizimin e takimeve përmes mjeteve alternative online. Ministria e Shëndetësisë, është mbrojtur duke deklaruar se kufizimi i vendosur është i përkohshëm deri në një urdhër të dytë dhe mund të ndryshojë nëse situata epidemiologjike përmirësohet.

Kuvendi nga ana tjetër, si palë e interesuar dhe që ka miratuar aktin duke i dhënë fuqinë e ligjit ka hequr përgjegjësinë duke deklaruar se sipas Kushtetutës aktet normative janë delegime të pushtetit dhe kompetencë e organeve që i nxjerrin.

Pas zbardhjes së këtij vendimi, Qeveria ka një javë kohë që të ndërhyjë duke përcaktuar afate në aktin normativ që kushtëzon tubimet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë