Politike

Grushti ndaj Berishës/ Spiropali: Keqardhje, por ti je frymëzues i dhunës si politikan

Nga Gazeta Si- Incidenti i ndodhur në protestën e opozitës më 6 dhjetor ku u godit ish-kryeministri Sali Berisha nga Gerti Shehu u bë objekt i deklaratave në Parlament. Ka qenë vetë Berisha që e ka marrë fjalën në Parlament, duke e cilësuar këtë si akt me mbështetje të kryeministrit Edi Rama.
“Jam këtu për t’i thënë (Ramës) se je i pashpresë, se me asgjë nuk do arrish kurrë të mposhtësh opozitën e shqiptarëve. Jam këtu për t’i thënë se në aktin më korruptiv ke arritur të blesh dhe të shesësh, deklarata, deputetë, kryetarë opozite etj, por ato kanë marrë fund, janë arkivuar siç do arkivohesh ti në kohërat që vijnë. Rama duke nxjerrë në mes të rrugës një kriminel, një agjent, një informator të policisë kriminale, të përgatitur me ministrin e familjes, që në kohëra të ndryshme ndajnë të njëjtën bashkëshorte. Rama mendoi se kjo është rruga për të triumfuar me opozitën. Po ta them këtu se të gjithë kriminelët po t’i mbledhësh, të gjithë vrasësit, trafikantët kurrë nuk do mund të mposhtësh popullin opozitar”, tha Berisha.
Ashtu si dhe në mbledhjen e grupit parlamentar me deputetët demokratë përrreth tij, Berisha bëri thirrje për revolucion.
“Por çfarë është Gerti në krahasim me këtë. Po ky është 10 herë më kriminel se Gerti. Gerti mori një dorë parash nga ju, nga Edi Rama, nga ky e mori. Por këta janë shumëfishi i tij. Qytetarë, këta janë rrezik personal për çdo njeri. Ndaj dhe ju bëj thirrje për beteja të reja. U bëj thirrje të ngrihemi se kjo kalbësirë nuk ikën, ndryshe vetëm se me revolucion. Ata që kanë frikë nga revolucioni, ata janë skllevër të krimit. Ata janë mostrat të krijuara nga skllavëria e krimit. Revolucioni askënd nuk duhet të trembë. Revolucioni është flladi i lirisë për të përzenë. E shikoni ju se me kë jam në parlament. Por prap do vij, do vij e do vij gjersa të përzëmë kriminelin e fundit nga ky parlament, që të ju kthehet qytetarëve. Ndaj dhe mora fjalën dhe njëherë për t’i deklaruar Edi Ramës se kauzën tonë ti kurrë nuk e vret dot”, theksoi Berisha, ndërsa u largua nga seanca e Kuvendit.


Pas këtij qëndrimi reagoi ministrja e shtetit për Marrdhëniet me Parlamentit, Elisa Spiropali, e cila deklaroi se është kundër dhunës dhe e ka dënuar aktin ndaj Sali Berishës më 6 dhjetor.
“Ndjeva keqardhje për ju Berisha. Nuk do të doja ta shikoja atë skenë në Bulevardin e Tiranës. Nuk do të doja të shikoja përgjakjen e fytyrës tuaj në ditën më të rëndësishme për Shqipërinë, Samiti i BE-Ballkani Perëndimor, por as në ditët e tjera të vitit. Dhuna është e papranueshme në çdo rast dhe çdokujt. E di që kanë përmendur të kaluarën tuaj, si për të thënë e të kujtuar që je politikani që më shumë se kushdo ka frymëzuar dhunë në jetën politike në Shqipëri. E dëshmuat edhe sot në këtë Foltore. Kanë përmendur faktin që e keni përdorur dhunën si mjet për të arritur qëllimet tuaja. Forca ime politike, dhe unë jemi kundër dhunës. Ne nuk bëjmë asnjë dallim mes grushtit që godet kundërshtarin apo mes grushtave dhe plumbave që godasin mbështetësit tanë. Vota është ndëshkuesi në politikë, jo dhuna”, replikoi Spiropali.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë