Kryetari i PD-së, Sali Berisha përcolli një deklaratë të paralajmëruar për mediat lidhur me hakerimin e të dhënave sensitive në vend dhe faktin se askush nuk mban përgjegjësi për këtë situatë.
“Sot, nga sistemi MEMEX, i cili përbën kartotekën e punës 30-vjeçare të Policisë së Shtetit, janë publikuar 105 mijë emra shqiptarësh, të dyshuar, të hetuar nga policia për krime të llojeve nga më të ndryshmet.
Nga sistemi janë ekspozuar emrat në mënyrë që të paralajmërohen të gjithë ata që janë në vëzhgim, janë në hetim, janë në shqyrtim për aktivitete të ndryshme kriminale.
Është ky një moment jashtëzakonisht i rrezikshëm për vendin. Është ky një moment që dëshmon se çdo gjë në këtë shtet të mafias, ndodhet në duart e krimit…”, tha Berisha.
Kreu i PD-së vërejti se nga data 15 korrik deri më sot, nuk është marrë asnjë masë e vetme për mbrojtjen e sistemeve
“Unë informoj gjithashtu se nga data 15 korrik deri më sot, nuk është marrë asnjë masë e vetme për mbrojtjen e sistemeve.
Të gjitha të tjerat, janë mashtrime.
Sistemet janë në mëshirë të atyre që po i sulmojnë dhe po i shkatërrojnë.
Natyrisht, sistemi TIMS, sipas burimeve serioze, është sulmuar nga hakera qeveritarë, me qëllim për të zhdukur të gjitha gjurmët e lidhjeve të qeveritarëve, deputetëve, me grupet kriminale dhe trafikantët, udhëtimet e tyre të përbashkëta, të cilat janë një provë e pakontestueshme e bashkëpunimit të krimit me politikën.
Kurse, nxjerrja e të dhënave të kartotekës, përbën shkallën më ekstreme të dekonspirimit dhe dorëzimit të këtij shteti mafioz, tërësisht në duart e krimit…”
Berisha tha se asnjë njeri nuk është ndaluar për sulmin kibernetik.
“Unë e kam të qartë se hakera iranianë sulmuan portalin e-Albania dhe e besoj raportin e publikuar. Por unë absolutisht, të dhënat faktojnë se ata nuk janë të vetme. Se sistemet dixhitale të Shqipërisë u shkatërruan nga hakera rajonalë, europianë, por edhe strikt qeveritarë.
Imagjinoni për një moment, një proces që ka filluar në vitin 2017-2018, proces që u vazhdua me dorëzimin e të dhënave personale të 1 milionë shqiptarëve te patronazhistët, proces që u vazhdua me publikimin e rrogave dhe targave.
A ka njeri sot, në një proces të vetëm gjyqësor për gjithë këtë veprimtari, që ishte mirëfilltaz qeveritare?
A ka një njeri të ndaluar, të arrestuar, për të gjithë këtë shembje të infrastrukturës dixhitale të vendit?
Asnjë njeri, sepse drejtësia është një vegël e partisë-shtet dhe zbaton vetëm urdhrat e saj”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje