Kampione e “Uimbëlldon 2019” është Simona Halep, e cila luajti një finale të madhe ndaj Serena Uilliams, duke dominuar totalisht. Rumunes i mjaftuan 2 sete (6-2, 6-2) për të mposhtur amerikanen brenda 57 minutash. Për Halep ky është suksesi i parë në turneun anglez, që i ka shërbyer të kthehet mes 4 tenisteve më të mira në botë. Nga ana tjetër, shumë gabime dhe tension nga Serena Uilliams para syve të dukeshës Megan, një mikeshë e ngushtë e saj, e cila ishte e pranishme në tribunë.

Simona Halep luajti një ndeshje solide dhe shumë efikase. Gjithçka u mbyll për 57 minuta, me dy sete që rumunia i fitoi me të njëjtin rezultat: 6-2. Ishte triumfi i parë i Halep në barin e turneut të Uimbëlldonit. Ajo nuk e vuri asnjëherë në diskutim fitoren, siç e vërteton edhe vetë rezultati. Në finalen e Uimbëlldonit, qoftë ajo e femrave apo e meshkujve, nuk mungojnë kurrë personalitetet e njohur. Në tribunë ishin dy dukeshat Megan dhe Kejt, e para një mikeshë e tenistes amerikane. Fillimi i ndeshjes ishte një makth për Uilliams. Tensioni duket se e frenoi atë, pasi goditjet nuk ishin të forta, qëndronte shumë statike në fushë dhe shërbimet nuk arriti t’i shfrytëzonte.

Në një formë shumë të mirë u shfaq Simona Halep, shumë e shpejtë në vrapimet e saj nga njëra linjë në tjetrën, në gjendje për të mbrojtur çdo top. Ajo arriti të shfrytëzonte në mënyrën më të mirë gabimet e amerikanes. Në gejmin e pestë të setit të parë Serena arriti të futej në lojë, por ishte shumë vonë dhe Halep e mbylli me lehtësi 6-2. Uilliams u përpoq të reagonte në setin e dytë me grintë, duke bërë që zëri i saj të kumbonte, megjithatë Halep ishte gjithë kohën e përqendruar dhe indiferente ndaj strategjisë së amerikanes. Tenistja rumune vazhdoi me strategjinë e setit të parë. Ekuilibri u prish në gejmin e pestë, kur në shërbimet e Serenës, të dyja tenistet luajtën me egërsi dhe intensitet. Halep kaloi përpara 15-40 dhe nuk e la rastin t’i shpëtonte. Ajo e përballoi më së miri edhe tentativën e fundit të dëshpëruar të amerikanes, e cila e mbylli këtë finale zhgënjyese, duke e çuar në rrjetë topin, duke i dhënë fitoren Simona Halep. E ulur në gjunjë mbi barin e Uimbëlldonit, me raketën te koka dhe sytë që i shkëlqejnë: ky është imazhi i kampiones së re të turneut anglez.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje