Bota

Hanë kërpudha helmuese në qendrën e refugjatëve, dy të mitur afganë vdesin në Poloni

Ikën nga ferri në Afganistan për të gjetur vdekjen në Poloni. Dy fëmijë që i përkasin një familje refugjatësh afganë, të cilët u larguan nga Kabuli ditët e fundit, kanë vdekur nga ngrënia e “amanita phalloid”, një nga kërpudhat më helmuese në botë.

Familja, e përbërë nga 12 persona, mbërriti më 23 gusht në qendrën e pritjes në Podkowa Leśna-Dębak pranë Varshavës (aktualisht në Poloni, ka 1024 refugjatë afganë, bashkëpunëtorë të polakëve dhe familjeve të tyre).

Më 24 gusht, ata shkuan në pyll, në zonën në qendër të qytetit, për të mbledhur kërpudha për të bërë supë, “nga që ishin të uritur”, shpjegon familja.

Megjithatë, mediat lokale – duke filluar me “Gazeta Wyborcza” – shpjegojnë se disa vullnetarë sjellin ushqim në qendër dhe zëdhënësi i Zyrës për të Huaj, Jakub Dudziak, i përcaktoi ato që thanë familjarët, si “gënjeshtra”: “Nuk është e vërtetë që ka mungesë ushqimi për refugjatët në qendrat e pritjes. Ka tre vakte në ditë, duke respektuar normat kulturore dhe fetare”.

Më 26 gusht, dy ditë pas ngrënies së tyre, e gjithë familja kishte simptoma të intoksikimit. Dy fëmijët më të vegjël – Mustafa, 6 vjeç dhe Ali, 5 – u dërguan në Qendrën e Shëndetit të Fëmijëve në Varshavë, ku u diagnostikuan me probleme serioze të mëlçisë. Të nesërmen motra e tyre 17-vjeçare u shtrua gjithashtu në spital.

Gjendja e Aliut u shfaq menjëherë serioze dhe i mituri vdiq të enjten. Njëzet e katër orë më vonë, pavarësisht transplantit të mëlçisë, Mustafai gjithashtu ndërroi jetë. Motra nga ana tjetër, u përmirësua ngadalë dhe doli nga spitali.

Pas vdekjes së dy fëmijëve, kërkohen shpjegime që justifikojnë faktin që familja ka vendosur të shkojë dhe të mbledhë kërpudha.

Qendra e pritjes në Dębak nuk strehon vetëm refugjatë afganë dhe ushqimet – bazuar në kuzhinën polako-evropiane: bukë, mish, gjizë, kos, supë, patate, mish dhe sallatë – nuk janë të njohura për të gjithë. Familja, e vendosur në karantinë, me mbërritjen e saj në Poloni, nuk ishte në gjendje të lëvizte lirshëm dhe të bënte pazar. Dhe në Poloni, ndryshe nga Afganistani, ka shumë lloje të kërpudhave: 1,300, sipas agjencisë së lajmeve “Associated Press”, rreth 200 prej të cilave janë helmuese. Vetë “amanita phalloid” duket shumë si një lloj tjetër i kërpudhave, krejtësisht t ngrënshme.

Ndërkohë që ka pasur kritika kundër buxhetit të ndarë për ushqim nga qeveria: 9 zloty në ditë (2 euro) shpenzohen për ushqimin e refugjatëve – edhe pse buxheti për të burgosurit është akoma më i ulët (5-6 zloty).

Pas ngjarjes, të gjitha qendrat kanë detyrimin të informojnë refugjatët, duke i nxitur ata të mos hanë gjëra me origjinë të panjohur.

Ministri i Brendshëm polak, mohoi se vdekja e fëmijëve – “një tragjedi” – mund të ishte shkaktuar nga neglizhenca në qendrën e refugjatëve. Por një hetim është hapur tani dhe vdekja mund të cilësohet nga prokurorët si vrasje me qëllim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë