Politike

Hapet pika doganore me Malin e Zi në Grabom, Rama: Njerëzit, të lirë si në BE

Në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë hapur dhe përuruar pasditen e së martës pikën doganore në Grabom të Malësisë së Madhe. 

Kjo pikë kufitare lidh njësinë administrative të Kelmendit të Bashkisë së Malësisë së Madhe me komunën Tuz të Malit të Zi.

Rama u shpreh se shpreson që Mali i Zi sa më shpejt të bashkohet në nismën “Ballkani i Hapur”, duke mos i kursyer thumbat për BE.

“Sot është një ditë e mirë sepse bie një tjetër mur mes nesh mes Republikës së Shqipërisë dhe Malit të ZI dhe është një lajm i mirë për të gjithë ata që e përfitojnë këtë rrugë dhe nga sot kanë një pikë kalimi dinjitoze dhe një mundësi për të kaluar përmes kësaj pike. Nuk mjafton që të ndërtohet një strukturë dinjitoze dhe as të hapësh një pikë të re doganore nëse së bashku nuk i heqim të gjithë barrierat doganore dhe nëse së bashku ne nuk e bëjmë kalimin e qytetarëve tanë pa humbur asnjë minutë në pritje të identifikimit të dokumenteve”, – tha Rama.

Kryeministri Edi Rama, deklaroi se së shpejti do të ndërtohet edhe ura që lidh Velipojën ne Malin e Zi, ndërsa shtoi se kjo duhet të shërbejë si një urë lidhëse mes Ballkanit për ta garantuar të njëjtat liri dhe të drejta për lëvizjen e lirë si vendet e BE.

“Së shpejti siç kam folur në Tiranë me Abazoviç, do angazhohemi për të ndërtuar urën që lidh Velipojën me pjesën e këtejme. Shpresoj që paralelisht me ndërtimin e urës, ne të bëjmë edhe shembjen e barrierave burokratike, tarifore dhe ajo urë të jetë urë kalimi pa pasur nevojë të ndihen sikur po ndahen nga një shtet në shtetin tjetër”.

Sipas Ramës, nisma ‘Ballkani i Hapur’ është e ardhmja e përbashkët europiane e Rajonit dhe se “më herët se vonë, këtë do ta kuptojnë e do ta mbështesin të gjithë”.

“Qëllimi ynë që njerëzit tanë të ndjehen dhe të jenë të lirë si në BE. Kjo është ajo që ndodh brenda Bashkimit Europian. Ku ka 2 pika bashkimit mes 2 vendeve nuk ka barriera, nuk ka pika kontrolli dokumentesh. Edhe në këtë synojmë këtu. Që të realizojmë 4 liritë e BE-së, lëvizje e lirë e mallrave, njerëzve, kapitaleve dhe shërbimeve. Ky është dhe qëllimi i nismës që ne kemi ndërmarrë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, që synon pikërisht që njerëzit të ndjehen të lirë, të lëvizin të lirë”, ka shtuar Rama.

I pranishëm në ceremoninë e hapjes së pikës së përbashkët kufitare ishte edhe kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, i cili e vuri theksin te bashkëpunimi, ndërsa tha se vendet nuk mund të bëjnë pa njëri-tjetrin, por se bashkë mund të bëjnë shumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë