Lajme

Haradinaj: Marrëdhëniet me Thaçin, të ftohura

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur keqardhjen e tij që edhe gjatë vitit 2018 nuk u hoqën vizat për qytetarët kosovarë, ndonëse Kosova i ka përmbushur tërësisht kushte. Në një intervistë të gjatë për RTSH, ai shpreson që sa më shpejt që kjo çështje të hyjë në rendin e ditës.
“Ishte sfidë për ne përmbushja e obligimit të fundit, ratifikimit i marrëveshjes Kosovë -Mal i Zi për shënimin e kufirit. Ne gjetëm një formulë të ratifikimit, ratifikuam edhe marrëveshjen, por po ashtu votuam në këtë pako edhe Raportin e Komisionit Shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi dhe njëkohësisht deklaratën e presidentëve për dakordim për korrigjim në drejtimet çfarë ka dhe kur.
Me këtë u përmbushen kushtet për liberalizimin e vizave. Komisioni dha vlerësim që Kosova i ka përmbushur plotësisht kushtet. Parlamenti Europian votoi po ashtu pro, ka mbetur vetëm Këshilli i Ministrave. Për fat të keq për Kosovën dhe qytetarët e Kosovës është një neglizhencë nga vendimarrësit në BE për këtë çështje. Tani jemi me shpresë që në një takim të ardhshëm mund të futet në agjendë. Shpresojmë!”, shprehet kryeministri Haradinaj.
Ai foli edhe lidhur me qëndrimin e tij për idenë e presidentit Thaçi për këmbimin e kufijve me Serbinë.
“Unë kam menduar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që ka lehtësuar përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini është për normalizim, do të thotë për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk është një dialog për status dhe s’ka përse të jetë se Kosova është e pavarur. Gjykata Ndërkombëtare e ka gjetur shpalljen e pavarësisë së Kosovës jo në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe nuk ka menduar se dialogu mund të kthehet ndonjëherë për dialog për territore, për kufij, pra është një dialog për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve. E duke qënë kështu unë i detyrohem mbrojtjes së Kosovës së 17 shkurtit 2008, pavarësisë së Kosovës, Kushtetutës, kufijve dhe në bazë të detyrës jam kundër të çdo ideje me lëviz me kufij me toka me Kosovën”, shprehet Haradinaj.
Po ashtu, ai foli edhe për marrëdhëniëet me presidentin Thaçi, ku thotë se për momentin marrëdhëniet janë të ftohura.
“Marrëdhëniet janë të ftohura. Bashkëpunojmë me institucionet. Nuk kemi marrëdhënie ta quaj personale. Kosova ka dështuar me vizat. Ka një bllokim të njohjeve të reja, ka debate të brendeshme për mënyrën dhe qasjen në negociatat me Serbinë”, thotë Haradinaj.
Ai ka folur edhe për marrëdhëniet me Shqipërinë dhe ka shprehur dëshirën që shqiptarët në Ballkan të unifikojnë tregun ekonomik, politik, të sigurisë dhe kulturës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë