Politike

Harta me Kosovën pjesë e Serbisë, Rama: Spanja ashtu e ka hartën e rajonit, s’i erdhi gjë e keqe kombit nga dalja 1 minutë e saj

Në Konventën ndërkombëtare të turizmit që u mbajt të martën në Tiranë, gjatë prezantimit të një kompanie nga Spanja, në prapavijë të panelit ndodhej një hartë, ku Kosova tregohej si pjesë e Serbisë.

Pas kritikave të ndezura kryesisht në rrjetet sociale ka reaguar edhe  kryeministri Edi Rama.

Ai deklaron se kombit nuk i erdhi asgjë e keqe nga dalja e asaj hartë për një minutë.

“Kinse patriotët kanë gjetur punë sot duke u marrë me një hartë të prezantimit të presidentit të gjigandit spanjoll Melia Group në Konventën e Turizmit, ku mungonte Kosova! Dihet që Spanja ashtu e ka hartën e rajonit po asgjë e keqe s’i erdhi kombit nga dalja 1 minutë e asaj harte!

Shqipëria s’është Irani ku të ftuarve në konferenca ndërkombëtare u kontrollohen prezantimet dhe as konventa s’ishte sheshbeteja diplomatike për njohjen e Kosovës nga Spanja! E keqja kombit tonë i vjen bash nga ata që merren tërë ditën me kësi luftrash pa lidhje mes shqiptarësh!”, shkruan Rama


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë