Helga Vukaj anëtare e Komisonit Rregullator i ka drejtuar sot një kërkesë KQZ që të mos regjistrohen në zgjedhje kandidatët me cilësi të papërshtatme për deputet.
Ndër të tjera, në kërkesën e bërë nga Vukaj, thuhet se ndalimi i kandidimit duhet të aplikohet për personat që “që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, në lidhje me një prej rasteve të parashikuara në pikën 1, shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të këtij neni, apo janë dëbuar për cenim shumë të rëndë dhe serioz të sigurisë publike të shtetit përkatës”.
“Kërkoj, zbatimin rigoroz dhe moslegjitimin e asnjë rasti qe nuk plotëson pastërtinë e figurës. Deri tani mediatikisht jemi informuar për prezencën e dokumenteve të rëndësishem, që na përcjellin të dhëna për raste konkrete, një i tillë edhe Dekreti i Sekretarit Amerikan të Shtetit për shpalljen Non Grata dhe moslejimin e hyrjes ne SHBA të emrave të caktuar, aktualisht aspirantë për kandidatë në listat zgjedhore”, thuhet në kërkesën e Vukajt.
Vukaj nuk përmend emra konkretë, ndërkohë Partia Demokratike më herët sot iu drejtua me një kërkesë KQZ për të mos regjistruar në zgjedhjet si kandidat Tom Doshin.
Pasditen e sotme gjithashtu, ambasadorja amerikane Yuri Kim dha mesazhe të forta, ku paralajmëroi se mund të ketë kandidatë të skualifikuar.
Diplomatja amerikane është shprehur hapur se Doshi nuk duhet të kandidojë në zgjedhje pasi është person i shpallur “Non Grata” nga SHBA.
Kujtojmë se në vendimin e publikuar në faqen e DASH, thuhet se “në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë”. “Sekretari i Shtetit mund t’ia bëjë njoftimin zyrtarit privatisht ose në publik”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje