Futboll

Herri Kejn kërkon të fitojë trofe, tani çmenduria është e mundur

Tani çmenduria është e mundur. Sepse, siç thotë Fabio Kapelo, trajneri i madh italian, ka çmenduri të pamundura, si Mbape dhe Mesi, por ka edhe çmenduri që mund të realizohen. Herri Kejn, sulmuesi i Totenhemit, kishte para Kovid-19 një vlerë prej 150 milionë eurosh dhe kontrata e tij, e vlefshme deri në vitin 2024, ishte një tjetër instrument në favor të Totenhemit për të rezistuar ndaj klubeve që e dëshironin këtë futbollist.

Ishte i katërti në listë sa i takon vlerës, pas Mbape, Sterling dhe Nejmar: Mesi dhe Kristiano Ronaldo janë jashtë bursës për një seri arsyesh, duke përfshirë edhe moshën. Sot Kejn është barazuar në kuotat e vlerësimit, – për shkak edhe të dëmtimit, – nga Salah dhe Mane të Liverpulit. Situata është pak më ndryshe, ku diferenca qëndron në staturën dhe ambiciet e klubit.

Kejn feston një gol me fanellën e Totenhemit. Gazeta Si, 28 prill 2020

“Të kuqtë” kanë fituar Ligën e 6-të të Kampionëve, botërorin e klubeve, Superkupën dhe janë një hap larg titullit kampion në Angli, një titull i pritur që nga viti 1990. Liverpuli ka rifituar dimensionin e tij si një superfuqi e futbollit, pavarësisht eliminimit nga Liga e Kampionëve më 11 mars. Prej 12 vjetësh ndërkohë Totenhemi nuk fiton asgjë.

Sezoni aktual nisi keq dhe solli shkarkimin e trajnerit Mauricio Poketino. Ardhja e Mourinjos e riktheu skuadrën në pistë fillimisht, por një seri dëmtimesh i mohoi trajnerit portugez lojtarë si Son, Sisoko dhe kapiteni Kejn. Rezultati: lamtumirë Ligë e Kampionëve dhe vendi i 8-të në kampionat. Një tjetër sezon i hedhur tej për një futbollist si Kejn, 27 vjeç më 28 korrik. Një situatë që e bën atë të reflektojë: të qëndrojë perjetësisht te Totenhemi, apo të dëgjojë ndonjë ofertë tërheqëse?

Real Madridi ka shfaqur shpesh interes për këtë futbollist. Përgjigja e Daniel Levit, presidentit të Totenhemit, gjithmonë ka qenë “Jo”. Hera e fundit që e ka thënë këtë ishte pak javë më parë, kur u përfol se sulmuesi dhe kapiteni i skuadrës ishte në merkato. Presioni i sulmuesit anglez për të ndryshuar ambient përballë një oferte përrallore mund t’i ndryshojë kartat në tavolinën e klubit londinez. Herri Kejn, një futbollist kalibri, nuk mund ta kalojë karrierën pa trofe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë