Politike

Hetimi i 25 prillit, PD “refuzon” komisionin për Strukturën e Mbrojtjes së Votës

Partia Demokratike ka refuzuar që t’i japë informacion Komisionit Hetimor Parlamentar të ngritur me kërkesë të saj për hetimin e procesit zgjedhor të 25 prillit, që sipas opozitës ishte një “masakër elektorale”.

Refuzimi është bërë ndaj një kërkese të anëtarëve të Partisë Socialiste për të ashtuquajturën “Strukturë të Mbrojtjes së Votës”, të ngritur nga PD para zgjedhjeve. Ekzistenca e kësaj strukture është pranuar nga kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe drejtuesit e tjerë të lartë të partisë, si edhe nga raporti i OSBE/ODIHR.

PD i ka kthyer përgjigje negative kërkesës së anëtarëve socialistë të komisionit hetimor, me arsyetimin se hetimi i kësaj strukture nuk është objekt pune i këtij komisioni. Sipas opozitës, kërkesa del jashtë objektit të punës së Komisionit dhe se ky i fundit është ngritur që të hetojë veprimtarinë e organeve të administratës publike dhe të pushteti vendor.

Partia Socialiste thotë se refuzimi për të dhënë përgjigje bie ndesh me parashikimet e ligjit për ngritjen dhe funksionimin e komisioneve hetimore. Sipas tyre, ligji përcakton se “në shërbim të hetimeve mbi çështjen, komisioni administron dokumente zyrtare, si dhe të dhëna të tjera që ndihmojnë në zhvillimin e hetimeve dhe se organet kompetente që i disponojnë këto të dhëna dhe dokumente janë të detyruara t’ia përcjellin zyrtarisht komisionit, sipas kërkesës së tij.

Anëtarët socialistë deklarojnë se vlerësimi nëse një kërkesë është brenda, apo jashtë objektit hetimor të komisionit nuk e bën as vetë Komisioni Hetimor, por e miraton Kuvendi në seancë plenare përmes raportit hetimor që i paraqitet.

Në këto kushte, PS konsideron të paplotësuar kërkesën drejtuar PD për strukturën e mbrojtjes së votës dhe rekomandon që e njëjta kërkesë t’i drejtohet sërish kësaj partie, shoqëruar me paralajmërimin se e ka detyrim ligjor që të japë informacion.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë