Bota

Hetimi, ‘New York Times’: Gazetarja palestineze u vra nga një plumb izraelit

Gazeta Si – Plumbi që vrau gazetaren palestinezo-amerikane Shireen Abu Aklehm më 11 maj në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor, u qëllua nga vendi ku ndodhej një kolonë ushtarake izraelite, me shumë gjasa nga një ushtar i një njësie elitare.

Këtë e pretendon gazeta amerikane “New York Times” pas një hetimi që zgjati mbi një muaj.

Dëshmitë e ekzaminuara nga gazeta prestigjioze, tregojnë se nuk kishte palestinezë të armatosur pranë gazetares së “Al Jazeera”-s, kur ajo u qëllua në kampin Jenin në Bregun Perëndimor.

Një rrethanë që do të hidhte poshtë pretendimet e ushtrisë izraelite se nëse një ushtar izraelit do ta kishte goditur, mund të kishte ndodhur në mënyrë aksidentale.

Sipas “New York Times”, për më tepër, siç pretendohet nga ushtria izraelite, 16 dhe jo pesë të shtëna janë qëlluar nga kolona më 11 majin e kaluar.

Hetimi nuk ishte në gjendje të provonte nëse ushtari që qëlloi me armë, vuri re se Shireen Abu Akleh dhe kolegët e saj kishin veshur jelek antiplumb që shkruanin “Media”.

Më 26 maj, Autoriteti Palestinez tha se hetimi i tij, i cili përfshinte një autopsi dhe një ekzaminim mjeko-ligjor të plumbit, zbuloi se reporterja e “Al Jazeera”-s ishte vrarë nga ushtarët izraelitë.

Qeveria gjithashtu akuzoi Izraelin për vrasjen e saj të qëllimshme, duke përmendur faktin se ajo u qëllua në kokë nga prapa, pavarësisht se kishte veshur një jelek që e identifikonte atë si gazetare.

Izraeli kreu një hetim paralel dhe kërkoi një hetim të përbashkët me Autoritetin Palestinez për të ekzaminuar plumbin nga një grup ekspertësh ndërkombëtarë.

Kërkesa që u refuzua nga qeveria palestineze. Hetimi paraprak nga ushtria izraelite, arriti në përfundimin se “nuk ishte e mundur të përcaktohej pa mëdyshje burimi i të shtënave”.

Katari, pronar i transmetuesit popullor në të gjithë botën arabe, kishte pohuar që në fillim se Shireen ishte vrarë nga izraelitët “me gjakftohtësi”.

“Ky terrorizëm i shtetit izraelit duhet të ndalet”, tha Laula Al Khater, zëvendësministre e Jashtme. Kryeministri Naftali Bennett nga Jeruzalemi kishte folur për akuza “të pabaza”.

Vdekjet palestineze rrallë tërheqin vëmendjen ndërkombëtare dhe ushtarët e akuzuar për krime kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor rrallë dënohen.

Por vdekja e gazetares shkaktoi zemërim në mbarë botën. Abu Akleh, kishte shkuar në Jenin atë ditë për të treguar për inkursionet e vazhdueshme ushtarake izraelite në qytet.

Në javët e mëparshme, një valë sulmesh palestineze kishte vrarë 19 izraelitë dhe të huaj dhe disa nga sulmuesit vinin nga rajoni i Jeninit.

Si përgjigje, ushtria izraelite nisi një seri bastisjesh në Jenin. Dhe vetëm për të ndjekur një nga këto bastisje, gazetarja u zgjua në agim, takoi tre kolegë të stacionit televiziv në parkingun e hotelit dhe mbërriti në vendin ku më pas u godit.

Plumbi që kaloi nëpër kafkën e saj u bë fokusi i hetimit, sepse të dhënat mund ta përputhnin atë me armën që e shkrepi.

“Kushdo që na qëlloi, duhet të na kishte parë herët”, tha Hanaysha, një gazetare e pavarur që ishte pranë saj, e fshehur pas një peme. “Ne menduam se ishim të sigurt”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë