Politike

Hije dyshimi mbi Frontex: A i keqtrajtoi dhe dëboi sirianët nga Shqipëria?

Komisionit Europian i kërkohet nga eurodeputetët që të hetojë akuzat e hedhura ndaj Frontex dhe autoriteteve shqiptare në lidhje me shkelje të të drejtave themelore të njeriut në disa raste të dëbimit të emigrantëve sirianë nga territori i Shqipërisë.

Kërkesa është bërë përmes një amendimit të propozuar në draftin e progres-raportit për vendin tonë për vitin 2020 dhe i cili pritet që të shqyrtohet për miratim nga Parlamenti Europian brenda këtij muaji.

Propozuesi është eurodeputeti grek, Stelios Kouloglou që kërkon ndryshimin e paragrafit 43 të progres raportit.

“…i kërkon Frontex (BE) që të sqarojë nëse ka pasur shkelje të të drejtave themelore të njeriut gjatë operacioneve kundër emigracionit të paligjshëm që ka ndërmarrë me autoritetet Shqipëtare. BE është e shqetësuar në lidhje me raportimet për dëbime të paligjshme në kufirin shqiptaro-grek dhe bën thirrje për hetim të menjëhershëm ndaj këtyre pretendimeve si nga Frontex, ashtu edhe nga autoritetet shqiptare”, thuhet në amendimin e propozuar.

Akuzat për deportime të paligjshme të refugjatëve sirianë nga ana e Frontex u hodhën në fillim të këtij viti pas një investigimi të “Deutsche Welle”. Media gjermane ka marrë në intervistë disa refugjatë, që thanë se u ishte refuzuar kërkesa për azil duke thënë si arsye pandeminë.

Njëri prej të intervistuarve nga DW thotë se kishte ecur në këmbë nga Janina në drejtim të kufirit mes Greqisë dhe Shqipërisë. Ai nuk kishte hasur asnjë polic grek gjatë kësaj rruge, ndërkohë që ishte ndaluar nga Frontex sapo kishte hyrë në Shqipëri. Ai pretendon se menjëherë iu dorëzua autoriteteve greke, pa i njoftuar më parë këto të fundit.

Emigrantë sirianë në rrugën Lezhë-Laç (foto ilustruese)

Organizata të ndryshme të mbrojtjes së të drejtave të njeriut thonë se shkelje të ngjashme regjistrohen edhe në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, madje në këtë pjesë këto shkelje janë të përditshme.

Frontex reagoi duke deklaruar në atë kohë se nuk kishte prova të mjaftueshme për të mbështetur akuzat publike të refugjatëve sirianë, duke refuzuar nisjen e një hetimi.

Oficerë të Frontex, në një nga pikat e kalimit kufitar në Shqipëri

Misioni i Frontex në Shqipëri është i pari në mbrojtje të kufijve të një vendi joanëtar të Bashkimit Europian. Ai mori udhë në vitin 2019 me synim luftën kundër kalimit të paligjshëm të kufirit me një staf prej 50 oficerësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë