Kolumbia ishte një test serioz për Argjentinën, që pak ditë më parë mundi 3-0 Guatemalën modeste. Miqësorja me Kolumbinë, e luajtur në Amerikë, u mbyll në një barazim të mërzitshëm 0-0. Skuadra e drejtuar nga Lionel Skaloni, e revolucionarizuar pas Botërorit të Rusisë, e nisi ndeshjen me skemën 4-3-3, pa Lionel Mesin dhe pa një numër 10 në fushë, me Mauro Ikardin qendërsulmues dhe Mezën dhe Gonzalo Martinezin në krahë. Në stol sërish Paulo Dibala, i cili u fut në lojë në fillim të pjesës së dytë dhe nuk dha asgjë për Argjentinën. I vëzhguari special ishte Ikardi, që mungonte në kombëtare prej 11 muajsh. Sulmuesi i Interit edhe këtë radhë mbeti “thatë” dhe tashmë, me 0 gola në 4 ndeshje, ai e di mirë situatën. “Nëse duhet të mbaj këtë fanellë, thjesht duhet të shënoj”, – kishte thënë vetë Ikardi para ndeshjes. Nuk shënoi jo vetëm për faj të tij, pasi pati vetëm dy raste, që nuk mundi t’i finalizonte.
“MetLife Stadium” ishte gjysmë bosh, edhe pse luhej një miqësore luksi në Nju Xhersi. Një minutë heshtje para nisjes së ndeshjes për përvjetorin e 17-të të ngjarjeve tragjike të 11 shtatorit. Taliafiko shërbeu për Ikardin, që në rrëshqitje e sipër nuk arriti të kalonte Ospinën. Sulmuesi i Interit humbi edhe një rast tjetër në pjesën e dytë, pas një tjetër krosi të Taliafikos, ndërsa 6 minuta para fundit i la vendin Akunjës. I bllokuar Ikardi, ashtu si e gjithë Argjentina. Pas një çerek ore të ndezur në lojë, u rishfaq Argjentina e Botërorit, e ngadaltë dhe e lexueshme në veprime. N pjesën e dytë nuk gjuajti asnjëherë në portë dhe duket se cikli i ri që synon të hapë kjo kombëtare do të marrë shumë kohë.
Në minutën e 54-t hyri në fushë edhe Dibala, i cili ka vepruar pas shpinës së Ikardit. Por asgjë për t’u shënuar. Lojtari i Juventusit kishte pak seanca stërvitje me kombëtaren dhe askush nuk priste që ai ta ndryshonte rrjedhën e lojës. Tentoi nga një goditje dënimi jashtë zonës, por e përplasi topin në mur. Vetëm kaq për Dibalën, që po kalon një moment shumë të vështirë, sepse edhe trajneri i Juventusit, Alegri, nuk e preferon titullar, të paktën deri tani. Argjentina vazhdon të vuajë dhe lojtarët e rinj të afruar nga stafi teknik po hasin vështirësi të mëdha. Para së gjithash, kësaj kombëtareje të madhe i dihet një trajner, që të jetë në gjendje të bëjë në mënyrën e duhur revolucionin për ta kthyer Argjentinën në nivele të larta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje