Ka ndodhur

Hiqej si zyrtar i lartë, arrestohet 52-vjeçari në Tiranë. I sekuestrohen 70 mijë euro

Gazeta Si – Një 52-vjeçar ka rënë në pranga këtë të martë, pasi akuzohet për mashtrimin e disa biznesmenëve. Policia bën me dije se Shpëtim Hida është kapur në flagrancë teksa merrte përmes mashtrimit plot 70 mijë euro.

Kjo nuk ishte hera e parë që ai mashtronte. Në njoftimin zyrtar të policisë, thuhet se Hida përdorte rrjetet sociale për t’iu kërkuar shuma të mëdha parash biznesmenëve, pasi iu prezantohej atyre si zyrtar i lartë i një institucioni shtetëror.

Policia tha se atij iu sekuestruan 70.000 euro, një automjet dhe një aparat celular. Gjatë operacionit policor të koduar “Arkitekti”, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasin Sh. H., 52 vjeç, banues në Tiranë, gjatë kohës që po i merrte shumën 70 000 euro, një shtetasi (biznesmen), të cilin e kishte mashtruar në komunikimet në rrjetet sociale, duke iu prezatuar si zyrtar i lartë i një institucioni shtetëror. Shuma 70 000 euro u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një automjet dhe një aparat celular.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 52-vjeçari ka mashtruar edhe shtetas të tjerë, në komunikimet në rrjetet sociale, duke i kërkuar para atyre, pasi iu prezantohej si zyrtar i lartë i një institucioni shtetëror. Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale “Mashtrimi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë