Futboll

Historia e Marius Bylter, inxhinieri që “ekzekutoi” Borusian

Një hero legjendash. Marius Bylter e ka parë veten befasisht në faqet e para të gazetave dhe ende nuk i besohet. Për më tepër, edhe në librat e historisë së futbollit. Është njeriu që i dhuroi Union Berlinit fitoren e parë historike në Bundesligë, një sukses që merr përmasa edhe më të mëdha, duke qenë se është arritur ndaj Borusia Dortmundit, një nga pretendentët kryesorë për titull që kishte pikë të plota.

Me dy gola, Bylter i shkaktoi humbjen e parë Borusias, 3-1. Sulmuesi 26-vjeçar e kuptoi rëndësinë e asaj që kishte bërë në fushë, kur pas ndeshjes u përball në linjë direkte me “Sky Deutschland” me të madhin Lotar Mateus. Bylter nuk ishte ndjerë kurrë një “hero”, as një mrekullibërës. Jo më larg se 18 muaj më parë luante ende me diletantët në kategorinë e katërt gjermane. Historia e sulmuesit nisi më 13 maj 2018, teksa luante në “Regionalliga” me SV Rodinghausen. Tre golat e shënuar ndaj Verl e shpallën atë shënuesin më të mirë të kampionatit, me 20 gola në 30 ndeshje. Por, mes diletantëve. Numra interesantë për Magdeburgun, që sapo ishte ngjitur nga kategoria e tretë në të dytën dhe i besoi shumë këtij lojtari. Vitin e kaluar pati një rënie drastike: 32 ndeshje dhe 4 gola. Pavarësisht rënies së Magdeburgut, Bylter ishte i kënaqur për faktin se në moshën 25-vjeçare kishte debutuar në një ligë profesioniste. Për dikë që është diplomuar në inxhinieri u duk se ishte perëndimi në futboll, por në fakt rezultoi vetëm pika e nisjes.

Marius Bylter feston një gol të shënuar ndaj Borusias. Gazeta Si, 1 shtator 2019

Gjatë merkatos së verës, Union Berlini, një ekip i ngjitur në Bundesligë, vendosi ta marrë dhe me Magdeburgun arriti akordin për një sezon huazim, me të drejtë blerjeje. “Nuk jam mësuar me këtë kualitet”, – ka thënë sulmuesi pas stërvitjeve të para me ekipin e ri. Megjithatë, ia doli të fitonte një vend titullari, duke shfrytëzuar fizikun e tij. Është 1.88 m i gjatë dhe lufton fort në fushë. “Ishte ndeshja më e mirë e karrierës sime, – tha Marius me pak ironi pas fitores me Borusia Dortmund. – Ishin dy golat e parë në Bundesligë, ndaj një skuadre të madhe”.

Pritej një fitore me goleadë e Borusias në fushën e Union Berlinit, por në skenë doli historia e pabesueshme e Bylter. “Ende nuk po arrij ta kuptoj atë që ka ndodhur. Që kam shënuar dy gola me dy gjuajtje në portë, do të thotë se jam me shumë fat. Është një ndjenjë e mrekullueshme”, – ka shtuar sulmuesi. Askush nuk mund ta kishte imagjinuar që inxhinier Marius Bylter, i ardhur huazim nga një klub i kategorisë së tretë, t’i shënonte 2 gola Borusia Dortmund. Ajo ndeshje e 18 muajve më parë ndaj Verl, kur ishte ende një diletant, i ndryshoi jetën, duke e shndërruar në një hero.

Bylter feston me një shok skuadre. Gazeta Si, 1 shtator 2019

Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë