Ne rrjet

Shqiptari me Covid që mori avionin të kurohej nga mjeku i Berluskonit në Milano

Një shqiptar i sëmurë prej disa ditësh me Covid-19 ka alarmuar Italinë fqinje, pasi vendosi të marrë avionin dhe të takojë mjekun që trajtoi ish-kryeministrin Silvio Berlusconi pasi ky i fundit u infektua.

Pas një konsulte me mjekët në Tiranë më 10 dhjetor, shtetasi me iniciale N.S, në të 50-at e tij, u shqetësua për gjendjen e tij shëndetësore. Për rreth dhjetë ditë ai kishte simptomat klasike të Covid-19, por ilaçet e përshkruara nga mjeku për të luftuar virusin nuk kishin dhënë efekt.

Pas një grafie dhe testeve të përshtatshme të gjakut 50 vjeçari u informua se virusi i kishte prekur një pjesë të madhe të mushkërive.

“Mjeku me sinqeritet i thotë se nëse do të ishte në Itali ai do ta dërgonte në San Raffaele në Milano ku është profesori i famshëm Alberto Zangrillo dhe ndoshta do të mund të trajtohej brenda një kohe të shkurtër”, shkruan sot gazeta italiane “Libero Quantidiano”.

I nxitur nga frika, pacienti shqiptar vendos të provojë të lërë veten në duart e Zangrillo-s. Ai rezervoi një fluturim për në Milano, pa njoftimet e ambasadës italiane në Tiranë, kaloi sigurinë në dy aeroportet dhe mbërriti në derën e doktor Zangrillo.

Kur shqiptari i tregoi mjekut aventurat e tij, sipas medias italiane, Zangrello vuri duart në kokë, duke kryer një sërë telefonatash urgjente.

Spitali ka informuar aeroportin e Malpensas. Të gjithë pasagjerët që udhëtuan me këtë njeri të infektuar, kontrollorët që besuan gënjeshtrat e tij, dhe shoferi i taksisë që kaloi një orë me të ndodhen ne karantinë.

Spitali italian ku shqiptari trokiti, nuk e refuzoi ndihmën për dikë që po vdes, kështu që i hapi dyert, por mediat italiane shprehen të alarmuar për mungesën e sigurisë në aeroportet, duke thënë që qeveria i ka vendosur masa të ashpra italianëve, ndërkohë që qytetarët e Ballkanit hyjnë e dalin lirisht.

“Ai që nuk ka asgjë për të humbur, rrezikon, por problemi nuk është ky, problemi qëndron tek humbësit, që në këtë rast janë të tjerët, të cilët nuk e meritonin të ishin krah për krah me aventurën e një njeriu që po vdiste”, shkruan “Libero Quantidiano”. “A nuk e meriton ky pacient ta dërgosh me shkelma në Shqipëri. Me siguri do ta bëjnë atë kur ta kenë shëruar. Grotesku me të cilin jemi përballur mund të shkaktojë madje edhe keqardhje për shqiptarin e mbytur nga terrori. Por nuk ka asgjë normale në paaftësinë e autoriteteve italiane për të mbajtur larg nesh të infektuarit. Ministrat nxjerrin dekrete drakoniane, komitetet e ekspertëve kërkojnë masa edhe më të ashpra; vizitat te gjyshërit janë të ndaluara, lëvizja e mundshme nga një komunë në tjetrën për të vizituar anëtarët e familjes është e ndaluar, duke mos i besuar ndjenjës së përgjegjësisë së qytetarëve, qeveria ka urdhëruar 70,000 ushtarë dhe policë të na mbajnë në shtëpitë tona gjatë pushimeve. Por nga ana tjetër ata i lënë të infektuarit të vijnë nga Ballkani, duke kaluar kufijtë dhe kontrollet si me shkop magjik”, thekson gazeta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë