Politike

Historike/ Bashkimi i Luginës që solli 3 deputetë shqiptarë në Serbi

“Bashkimi bën fuqinë!” Ky ishte mesazhi i Gent Cakajt të dielën ndërsa shqiptarët e Luginës së Preshevës i drejtoheshin kutive të votimit, të mbushur për herë të parë me shpresë së zgjedhja e tyre do të mund të bënte një ndryshim. Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë sapo ishte kthyer nga Lugina, ku mbodhi në një tryezë të gjitha partitë shqiptare në Serbi, përjashtuar PDSH-në. Kjo nuk ishte hera e parë që Tirana Zyrtare përpiqej të bentë bashkë Luginën, por ishte hera e parë që shqiptarët e Serbisë vendosën të flisnin me një zë të vetëm.

Kësaj radhe, shqiptarët garuan me një listë të përbashkët. Pas më shumë se njëzet vjetësh përfaqësimi nga i njëjti deputet në parlamentin serb, Riza Halimi, ata do të kenë për herë të parë deri 3 mandate, ndërsa nuk përjashtohet edhe i katërti. Edhe pse numërimi i votave nuk ka përfunduar ende, rezultatet paraprake flasin për një arritje të madhe të shqiptarëve të Luginës.

Partia e presidentit Aleksandër Vuçic ka shënuar nga ana tjetër një fitore absolute në zgjedhjet parlamentare, duke fituar 62,5 % të votave. E dyta ka dalë Partia e Socialiste e Serbisë (SPS) e ministrit të jashtëm Ivica Daçic me 10,7 %. Sipas këtyre rezultateve, në Kuvendin e Serbisë, partia SNS e Vuçic do të ketë 180 deputetë, ndërsa Daçiç 30 deputetë, ajo e ish-sportistit Aleksandar Shapic 11 mandate dhe shqiptarët katër.

Nga 75,000 banorët e Luginës, rreth 60,000 prej tyre besohet të jenë shqiptarë, pavarësisht bojkotimit të regjistrimeve të organizuara nga Beogradi. E vendosur mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, Lugina vazhdon të jetë e gjunjëzuar nga papunësia e lartë dhe e përndjekur nga shërbimet serbe të sigurisë. Megjithëse nuk ka shifra zyrtare, në Luginë janë vendosur qindra ushtarë dhe policë.

Lugina e Preshevës sipas censusit të fundit është duke u shpopulluar me ritme të frikshme, por shqiptarët janë të ndarë e të përçare ndër vite në 7 parti. Në luftë politike me Beogradin, i cili nuk i ka ndalur përpjekjen e tij për izolimin e Luginës, por edhe në luftë politike më njeri-tjetrin, shqiptarët e Serbisë kanë qene gjithnjë “memecë” përballë represionit serb.
I pari që u përpoq të bashkonte partitë shqiptare në një zë të përbashkët ishte ish-kryeministri Sali Berisha në vitin 2010, kur liderët politikë të Luginës erdhën në Tiranë, nënshkruan një marrëveshje dhe të nesërmen, kur u kthyën në Luginë, u tërhoqën.

Cakaj me liderët e Luginës, Gazeta Si, 2020



Pas tij, ish-ministri Ditmir Bushati mbajti takime të përvitshme me shqiptarët e luginës, në përpjekje për t’u ulur në një tryezë, por konfliktet politike fituan edhe më shumë se 20 vite mbi interesin e përbashkët. Nëse do të ishin bashkuar nën një zë në parlamentin serb, shqiptarët nuk do kishin humbur sot bashkinë e Bujanocit dhe do të kishin të paktën 3 deputetë. Askush nga ata që e njihnin “kokfortësinë politike” të aktorëve politikë, nuk ishte optimist kur zoti Cakaj u nis një javë më parë drejt Preshevës. Ministri në detyrë takoi fillimisht njëri pas tjetrit krerët e partive, duke u përpjekur t’i bindte të garonin më një listë të përbashkët, për t’i bërë më pas të gjithë bashkë. Takimi rezultoi të ishte arritja më e madhe diplomatike në Luginë.
Cakaj e ka cilësuar bashkimin si pikë fillimin e një ndërmarrje të madhe shqiptare për Luginën e Preshevës. “Edhe njëherë: Pjesëmarrja e lartë e mbështetja masive në zgjedhjet për listën e Luginës së Bashkuar është e një rëndësie të patjetërsueshme! PO, PO: ekzistojnë edhe mendime ndryshe edhe shumë parti politike, por duhet të ketë vetëm një faktor politik në Luginën e Preshevës”, shkruante Cakaj pas vizitës.

Partia Demokratike Shqiptare në Luginën e Preshevës ishte e vetmja që bojkotoi këto zgjedhje, duke deklaruar se shqiptarët e Luginës duhet të bashkohen me Kosovën ose Shqipërinë. Kreu i kësaj Ragmi Mustafa, u shpreh se Serbia nuk është treguar asnjëherë e gatshme për të dëgjuar zërin e shqiptarëve. Ai tha se tanimë, kur marrëveshja Prishtinë-Beograd po afron, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të interesuar që të jenë pjesë e integrale e Republikës së Kosovës. Kjo shpresë ka pushtuar Luginën që pas daljes së skenarit të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Përse bashkimi i shqiptarëve të Luginës është kaq i rëndësishëm?

Si një nga rajonet më të varfra të Serbisë, Presheva u përfshi në një konflikt të përgjakshëm në vitin 2001 kur një pjesë e shqiptarëve rrëmbyen armët duke kërkuar të bashkoheshin me Kosovën fqinjë, por u përballën me një përgjigje të dhunshme nga ana e autoriteteve serbe. Që atëherë shqiptarët e Luginës po jetojnë mes mjerimit ekonomik dhe represionit politik. Me vetëm një deputet, shqiptarët nuk kanë pasur as zë.
Investimet e mëdha të sektorit privat mungojnë në rajon dhe të vetmet ndihma vijnë kryesisht nga donatorët ndërkombëtarë dhe agjencitë qeveritare.

Adnan Jusufi, një i ri i papunë thotë së do emigrojë sapo t’i jepet mundësia. “Shqiptarët këtu nuk kanë punë, nuk kanë shkolla dhe varen nga fondacionet”, thotë ai për AFP.
Të gjitha kompanitë e mëdha të epokës jugosllave, si fabrika “Grafofleks”, firma tregtare “Buducnost” dhe një fabrikë për prodhimin e duhanit, janë zhdukur. Papunësia ka arritur tanimë në 70 për qind, ndërkohë që paga mesatare mezi arrin në 100 euro. Fasadat e shkatërruara të Preshevës janë të parat që dëshmojnë mjerimin mes të cilit jetojnë banorët.

Në qytetin e Bujanocit, ku fabrika e ujit mineral Heba është e vetmja që ofron vende pune, paga mesatare arrin në 200 euro, sa gjysma e pagës mesatare në pjesën tjetër të Serbisë.
“Pa perspektivën e punës, të gjithë do të përfundojmë duke u larguar”, thotë Jonuz Kamberi, një 24 vjeçar shqiptar. “Shqetësimi jonë kryesor është se njerëzit nuk kanë më çfarë të jetojnë”.
“Një fabrikë do të ndryshonte gjithçka”, thotë shoku i tij. Por nëse asgjë nuk ndryshon të gjithë të rinjtë do të largohen”, shtoi ai, duke rrëfyer se punon në një fabrikë të drejtuar nga një shqiptar.

Armend Aliu, zëvendës-kryetari i komunës së Preshevës, thotë nga ana tjetër se shteti serb ” po injoron kërkesat e thjeshta të banorëve”, duke filluar nga ndërtimi i disa objekteve industriale për të tërhequr investitorët, ndërtimin e një kalimi të ri kufitar me Maqedoninë dhe libra shkollorë në gjuhën shqipe.

Si Lugina, e cila është kthyer në kryefjalën e skenarit të shkëmbimit të territoreve, ashtu edhe qeveria e ardhshme serbe do të përballet me presionin në rritje të BE-së dhe SHBA-së për të arritur një marrëveshje me Kosovës. Përballë ndryshimeve që priten nga kjo marrëveshje është më e rëndësishme se kurrë që shqiptarët e Luginës të flasin me një zë në parlamentin serb.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë