Politike

Historike, partitë shqiptare në Mal të Zi bashkohen për Tuzin

Nën moton “Malësia na Bashkon”, tri parti shqiptare në Mal të Zi janë bërë së bashku për zgjedhjet lokale në një prej komunave më të rëndësishme të vendit fqinj, atë të Tuzit.

Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik Shqiptar në Mal të Zi kanë përfunduar me sukses misionin e tyre për t’u bashkuar për zgjedhjet lokale të 3 marsit.
Përfaqësues të këtyre partive shprehen për mediat malazeze se ky do të jetë një proces historik zgjedhor, i cili do të shënojë një kthesë të madhe për respektimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve shqiptarë në vendin fqinj. Tuzi është në fakt komuna e dytë pas Ulqinit me shumicë shqiptare në Malin e Zi dhe zgjedhja e një kryetari shqiptar do të ishte një fitore e madhe për të gjithë bashkëkombësit tanë atje.

Tri partitë do të dalin me një listë të përbashkët. Ndryshe nga zgjedhjet lokale në vendin tonë, kryetari nuk zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë nga qytetarët, por me votat e shumicës së anëtarëve të asamblesë komunale.

“Bashkimi ynë ishte obligim moral dhe kombëtar”, shprehet Nik Gjeloshaj. “Ne realizuam me sukses kërkesën bazë të qytetarëve shqiptarë. Jemi të sigurt që ky unifikim, përveç qytetarëve, do të përkrahet fuqishëm edhe nga diaspora jonë, kudo ndodhet. Pavarësisht kritikave, kjo klasë politike që sot bashkon shqiptarët në një koalicion, ka dëshmuar se e do Malësinë”, thekson ai.

Zyrtarizohet koalicioni midis ASH, LDSH dhe UDSH

Vendim është mirëpritur dhe përshëndetur njëzëri nga të gjitha forcat politike në Shqipëri, sidomos ish-ministri Ditmir Bushati, i cili ishte përfshirë personalisht në bisedimet mes partive shqiptare.

“Përpjekja dhe angazhimi konstant me të gjithë aktorët politik, Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi i dha frytet. Me përgjegjshmëri politike dhe mision qytetar, faktori politik shqiptar ka nënshkruar marrëveshjen e koalicionit zgjedhor, duke formalizuar pjesëmarrjen në zgjedhjet vendore në Tuz përmes një liste të përbashkët “Forumi Shqiptar” me sloganin “Malësia na Bashkon”, shkruan Bushati në rrjetet sociale. “Ky hap, që përbën një moment të shumëpritur për bashkëkombasit tanë në Malin e Zi, është dëshmia më e mirë e maturisë politike, dhe në të njëjtën kohë përbën një tjetër arritje domethënëse për politikën tonë të jashtme dinamike e konstruktive në rajon”, shton ish-ministri i Jashtëm.

Pas tij reagoi edhe presidenti Ilir Meta i cili e ka konsideruar bashkimin e partive shqiptare si një veprim mjaft të mençur. “Duke u uruar suksese në këtë garë elektorale, jam besimplotë se kjo marrëveshje është një hap në drejtimin e duhur për fitoren dhe drejtimin e Komunës së Tuzit përmes bashkëpunimit, por edhe bashkëjetesës shembullore me malazezët dhe me të gjithë grupimet e tjera etnike”, deklaroi presidenti.

Muzeu etnografik në Lekaj te qytetit te Tuzit

Tuzi është kthyer në një zonë kyçe për shqiptarët e Malit të Zi, pas shpalljes si komunë më vete me të drejta të plota, në prill të vitit 2017. Tuzi ishte dikur pjesë e njësisë administrative të kryeqytetit të Podgoricës dhe si i tillë është udhëhequr gjithnjë nga malazezët, të cilët nuk kanë bërë asgjë për të përmirësuar jetën e shqiptarëve të kësaj zone.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e konsideron bashkimin e partive shqiptarë në Tuz si një shembull për të gjitha forcat e tjera shqiptarë më rajon. Ajo përgëzoi drejtuesit e tyre për vizionin e tyre dhe thotë se kjo marrëveshje duhet të zbatohet edhe në zgjedhjet e ardhshme të Malit të Zi.

“Arritja e kësaj marrëveshjeje dëshmon rritjen e vetëdijes kombëtare dhe të përgjegjshmërisë politike të faktorit politik shqiptar në Malin e Zi, duke qenë një shembull frymëzues edhe për forcat politike shqiptare në vendet e tjera të rajonit. “Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh bindjen e plotë se ky bashkëpunim i shumëpritur do të jetë afatgjatë dhe do të shtrihet edhe në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Mal të Zi.

Së bashku këto parti do të përfaqësojnë më së miri interesat dhe aspiratat e shqiptarëve në Malin e Zi. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thekson se një faktor i fortë dhe i bashkuar politik shqiptar do t’i shërbejë më mirë integrimit euro-atlantik të Malit të Zi, si dhe forcimit të demokracisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm në këtë vend mik të Shqipërisë”, thotë ministria në një deklaratë zyrtare.

Ndarja territoriale administrative e Malit të zi nuk ka marrë në konsideratë rajonet e banuara me shqiptarë, duke penguar herë pas here tentativat për vetëqeverisje në Komunën e Tuzit, duke treguar se sa i ndjeshëm është pushteti në këtë drejtim.

Shqiptarët e Malit të Zi kanë pasur gjithnjë të vështirë të vetëqeverisen qoftë edhe me ato pak kompetenca të pushtetit lokal, duke çuar drejt braktisjes së fshatrave dhe largimit të shqiptarëve nga këto komuna. Gjuha shqipe është zyrtare në dy njësi ku shqiptarët përbëjnë shumicën, Ulqin dhe Tuz, por jo në Plavë-Guci dhe Rozhajë. Bashkimi i partive shqiptare për komunën e Tuzit është një ndër iniciativat e pakta për forcimin e pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi, jashtë kornizave aktuale institucionale.

Ekspertët përcaktojnë se nëse kryekomunari i ardhshëm i Tuzit do të ishte shqiptar, kjo komunë e vendosur ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal do të merrte një peshë të madhe politike, duke u bërë qyteti i dytë malazez i drejtuar nga shqiptarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë