Pas protestave madhështore kundër racizmit, SHBA ka marrë një lëvizje historik për mbrojtjen e njerëzve me ngjyrë.
Këshilli i qytetit të Minneapolis, ku u vra një javë më parë nga një oficer një afrikano-amerikan, është zotuar të shpërndajë të gjithë departamentin e policisë së qytetit dhe ta zëvendësojë atë me një sistem të ri të sigurisë publike.
Duke votuat me shumicë absolute, anëtarët e këshilltarit deklaruan “çmontimin” dhe “shfuqizimin” e policisë përgjegjëse për vdekjen e George Floyd dhe ndërtimin e një modeli alternativ sigurie të drejtuar nga komuniteti. Vendimi është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj protestave masive që nuk ndalen në qytetet amerikane në dy javët e fundit dhe kjo është një fitore e madhe për aktivistët, të cilët kanë luftuar prej kohësh për të shpërndarë policinë.
“Në Minneapolis dhe në qytete në të gjithë SHBA, është e qartë se sistemi ynë i policisë nuk po i mban të sigurt komunitetet tona” tha Lisa Bender, kryetare e këshillit të qytetit të Minneapolis. “Përpjekjet tona për reformë kanë dështuar. Angazhimi ynë është të bëjmë atë që është e nevojshme për të mbajtur të sigurt çdo anëtar të bashkësisë sonë dhe për të thënë të vërtetën: që policia e Minneapolis nuk po e bën këtë. Angazhimi ynë është t’i japim fund policisë siç e njohim ne dhe të krijojmë sisteme të sigurisë publike që të na mbajë me të vërtetë të sigurt”.
Edhe pse kryetari i bashkisë, i cili ishte kundër këtij vendimi, ka për detyrë të mbikëqyrë policinë, këshilli i qytetit ka autoritet mbi buxhetin dhe politikën dhe mund të vendosë për shpërndarjen e departamentit policor.
Përpjekja zyrtare për të shfuqizuar departamentin e policisë në qytetin e madh në Amerikë dhe për ta zëvendësuar atë me një model tjetër sigurie do të ishte e paimagjinueshme disa javë më parë, përpara shpërthimit të protestave për vdekjen e Floyd në 25 maj. 46-vjeçari i paarmatosur u vra nga policia e Minneapolis kur një oficer i vuri gjurin në qafë për gati nëntë minuta, ndërsa ai u lut që ta lëshonte. Floyd ishte arrestuar gabimisht pasi ishte ngatërruar me një të dyshuar që kishte blerë ushqime me para fallse.

Shumë prej demonstruesve që kanë protestuar në të gjithë vendin kanë kërkuar që departamenteve të mëdha të policisë së qyteteve t’u shkurtohen fondet. Përkrahësit thonë se kjo nuk nënkupton të heqësh dorë nga zbatimi i ligjit, por se shumica e parave që përdoren për departamentet e policisë mund të riinvestohen në shërbime sociale, duke argumentuar se krijimi i një jete më të mirë për qytetarët do të thotë më pak nevojë për policë.
Një grup demonstruesish u mblodhën të shtunën jashtë shtëpisë së kryebashkiakut të Minneapolisit Jacob Frey për të kërkuar që departamenti i policisë të shpërbëhet, duke e akuzuar atë për racizëm dhe për trajtim të ashpër të personave të dyshuar afrikano-amerikanë.
“Nuk duhet të kishin ndodhur aq shumë vdekje që ne të arrinim këtu” tha Candace Montgomery, drejtoreshë e Black Vision që organizoi tubimin jashtë shtëpisë së kryetarit. “Ne jemi më të sigurt pa patrullime të armatosura, që nuk i japin llogari askujt, të mbështetura nga shteti që gjuan afrikano-amerikanët” tha ajo.
Por zoti Frey tha përpara turmës se ai nuk e mbështet eliminimin e departamentit të policisë në formën që ka tani.
“U thashë atyre të vërtetën se ku qëndroj. Do të punoj pa u ndalur për reforma të thella strukturore për të ndryshuar patrullimin policor, për të rishikuar sistemin tonë dhe për të zgjidhur drejtpërdrejt racizmin në sistem. Por, unë nuk e mbështes eliminimin e departamentit” tha zoti Frey.

Ligjvënësit dhe avokatët në të gjithë SHBA ka të ngjarë të shikojnë nga afër se çfarë do të ndodhë më pas në Minneapolis. Është e paqartë se sa shpejt mund të lëvizë ky proces dhe si mund të funksionojë tranzicioni. Përkrahësit po bëjnë presion që këshilli të fillojë me heqjen e parave nga buxheti i policisë dhe të investojë në departamente të tjera qeveritare, shërbime sociale dhe programe, ndërsa fillon një proces komunitar për krijimin e sistemeve alternative.
Një model alternativ i sigurisë, thonë avokatët, mund të fillojë me gjetjen e “zgjidhjeve jo-policore për problemet me të cilat përballen njerëzit e varfër”, siç janë problemet e shëndetit mendor dhe abuzimi me drogën.
Ashtu si shumë bashki amerikane, Minneapolis tashmë po përballet me një mungesë buxheti për shkak të krizës Covid-19 dhe policia mund të ndihmojë në adresimin e disa prej këtyre mangësive. Ka disa shembuj të qeverive që kanë shpërndarë agjencitë e trazuara të policisë lokale në SHBA me kalimin e viteve, megjithëse autoritetet kanë pasur që njësi të tjera rajonale për zbatimin e ligjit të marrin përsipër policimin.
Reformat policore në të gjithë vendin
Ndërsa përpjekja në Minneapolis është më radikale, një sërë kryetarësh të tjerë të bashkive kanë ngrirë fondet për financimin e policisë. Kryebashkiaku i Los Anxheles tha se do të shkurtojë sa më shumë 150 milion dollarë fonde për policinë këtë javë.
Pas protestave dhe raporteve për sjelljet raciste të policisë në Nju Jork kryebashkiaku Bill de Blasio tha të dielën se disa fonde do të transferoheshin nga policia në “nisma rinore dhe shërbime sociale”.

Kundërshtarët e kësaj ideje thonë se ata duan që njerëzit të pyesin veten se çfarë ndodh kur dikush telefonon numrin e emergjencës 911 për të raportuar një rast përdhunimi apo një vrasje ose grabitje e armatosur dhe nuk ka policë të gatshëm.
Presidenti Donald Trump ka bërë thirrje për përdorimin e forcës për të trajtuar protestat e dhunshme kundër trajtimit të ashpër policor të afrikano-amerikanëve.
Garda Kombëtare do të fillojë të tërhiqet nga Los Angeles, San Francisco, Sacramento dhe qytete të tjera të Kalifornisë, ndërsa dhuna e protestuesve është zbutur.
Marshimet e së dielës në Kaliforni ishin paqësore, por kryetari i bashkisë së Los Angeles-it Eric Garcetti thotë se një “numër i vogël njësish” do të dislokohen aty pranë për të paktën dy ditë të tjera në rast emergjence.
Situata në qytetin Oakland ishte pak më e tensionuar kur demonstruesit u përpoqën të mbyllnin një autostradë ndërshtetërore, por u tërhoqën pas një konfrontimi të shkurtër me policinë.
Disa qindra familje, shumë prej tyre me karroca me fëmijë marshuan paqësisht pranë një liqeni në Oakland. Një marshim i ngjashëm u mbajt në San Francisko dhe mijëra u mblodhën në mënyrë paqësore përgjatë bregut të këtij qyteti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje