Bota

Humb jetën diplomatja zvicerane në Iran, bie nga dritarja e shtëpisë?

Një zyrtare e ambasadës zvicerane në Teheran, 51 vjeçe, u gjet e vdekur këtë mëngjes në këmbët e një prej rrokaqiejve në Kamranieh, në veri të Teheranit.

Nuk është e qartë, nëse vdekja ka ndodhur për shkak të një veprimi dashakeqës, një aksidenti apo një vetëvrasjeje. Ajo që dihet, është se gruaja ka rënë nga lartësia e ndërtesës ku banonte në tokë, duke gjetur vdekjen.

Sipas raporteve nga agjencia iraniane e lajmeve “Mehr”, diplomatja kishte rolin e sekretares së parë të ambasadës zvicerane në Teheran dhe kujdesej për interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vend (detyra i është deleguar ambasadës zvicerane që nga viti 1980, kur Uashingtoni ndërpreu marrëdhëniet me Iranin gjatë Revolucionit Islamik).

Sipas një zëdhënësi të Organizatës Kombëtare të Shërbimit Emergjent Mjekësor Iranian, Mojtaba Khaledi, gruaja vdiq disa orë para se të gjendej nga kalimtarët.

Nga ana e saj, Zvicra ka konfirmuar vdekjen e një “bashkëpunëtoreje” të ambasadës së saj në Teheran.

Konfirmimi erdhi nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës (FDFA) në agjencinë “Keystone-Ats”, pa dhënë detaje të mëtejshme për arsye të privatësisë.

“Departamenti dhe drejtori i tij, Këshilltari Federal Ignazio Cassis, janë të tronditur nga vdekja tragjike dhe i shprehin ngushëllimet e tyre të përzemërta familjes”, – shkruan zëdhënësi i FDHA-së në një deklaratë.

Departamenti është në kontakt me familjen e punonjëses dhe ambasada zvicerane, e cila përfaqëson interesat diplomatike të SHBA-së në Iran, është në kontakt me autoritetet lokale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë