Politike

Humbi gjyqin ndaj Veliajt, Tabaku: Gjykata, nën presionin e vettingut

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, është shpallur fajtore nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me  akuzën e shpifjes ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Gjykata i ka kërkuar Tabakut që, krahas përgënjeshtrimit, të paguajë edhe një gjobë prej 500 mijë lekësh, si dhe shpenzimet gjyqësore dhe ato avokatore.

Veliaj e kishte paditur Tabakun për shpifje, lidhur me deklaratat që ish-deputetja demokrate kishte bërë nga selia e PD-së për Unazën e Re.

Sipas Gjykatës së Tiranës, Jorida Tabaku, ka shpifur gjatë një konference shtypi, ku ajo kish deklaruar se projekti i Unazës së Madhe është një projekt korruptiv i Veliajt dhe kryeministrit Rama, me qëllim ndryshimin e planit për përfitime personale.

Një reagim pati edhe nga Jorida Tabaku.

“Ditën e sotme gjykata e shkallës së parë nën presionin e një vettingu që po bëhet gjithnjë e më partiak, siç edhe Komisioni i Venecias e vërtetoi, mori një vendim në kundërshti me provat dhe faktet që tanimë janë botërisht të njohura…

Koha do të tregojë se sa të vërteta kanë qenë vendimet e një gjykate që më së paku iu shmang përgjegjësisë për të gjykuar mbi provat dhe jo sipas pushtetit. Ajo që më gëzon është se ditë më të mira do të vijnë për shqiptarët dhe ditë edhe më të errëta do të jenë për ato që mendojnë se mund ta blejnë të shkuarën dhe të ardhmen me pasuri apo miqësi”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë