Në konferencën javore, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, foli për dyshime të forta se zyrtarë të lartë të qeverisë, sipas tij, përfitojnë në skema me investitorë, kur Shqipëria humbet në Arbitrazh
“Jam këtu si kryetar i shtetit për të paralajmëruar për këtë veprimtari kriminale që shkatërron financat e shtetit, siç është rritja e borxhit që askush nuk mund ta llogaris dot. Përveç krizës politike tërësisht artificiale, pa dyshim që mund të sjellë një situatë falimentimi ekonomik dhe financiar.
Janë shumë çështje që mund të penalizojnë Shqipërinë në shifra miliarda eurosh. Ka dyshime të arsyeshme për një lojë të dyfishtë korruptive të zyrtarëve të qeverisë që do të thotë fitojnë edhe nga kompania që merr apo trashëgon aktivitetin që i zgjidhet nga administrata, por këta bashkëpunojnë edhe me investitorin duke mos mbrojtur Shqipërinë në arbitrazh.
Në këtë mënyrë ne shkojmë drejt katastrofës financiare. Unë di të ndaj atë që është shtetërore nga ajo që mund të jetë politike apo personale. Nëse dikush mendon që interesat personale do t’i vendos mbi interesat shtetërore, duhet ta di se çdo firmë që hidhet në kundërshtim me ligjet dhe pasoja për financat e vendit, mbetet dhe secili do mbajë përgjegjësi”, tha Meta, duke atakuar edhe kryeministrin Rama.
“Zotëria në fjalë ia ka marrë dorën, asnjëherë nuk firmos dot. Në Parlament bën sikur flet në telefon kur vjen rasti i votimit dhe del jashtë.
Po të vazhdojë në këtë mënyrë, ky shtet shembet…”, tha Meta.
Sipas tij, përfaqësimi dhe mbrojtja e Shqipërisë në gjykatat e arbitrazhit ndërkombëtar është kthyer në rrezik të madh shtetëror dhe ekonomik.
Meta tha se ka kërkuar informacion nga Avokatura e Shtetit që me 13 korrik të këtij viti, por nuk ka asnjë përgjigje edhe pse kanë kaluar dy muaj e gjysmë.
“I kam kërkuar Avokaturës së Shtetit të dhëna për numrin e çështjeve dhe strukturën që ndjek, numrin e çështjeve të fituara dhe të humbura, të dhëna mbi efektin financiar, shpenzimet administrative. Nuk ka informacion prej dy muaj e gjysmë” tha ai.Nuk vonoi as përgjigja e kryeministrit Rama.
“Ka disa kohë që është ngulur në opinion ideja që ne kemi humbur arbitrazhe, madje një pjesë e njerëzve mendojnë se ne i kemi paguar edhe paratë e humbjeve…
Deri tani nuk kemi asnjë proces në Arbitrazh ku ne të kemi humbur. Kemi skuadra të përbashkëta të avokaturës së shtetit dhe avokaturave të huaja dhe po punojnë për t’i zmbrapsur këto vendime që janë të natyrës paraprake.
Mirë ata që e kanë detyrë ndaj një populli të tërë që mos ja kërcasin kokoshkës, por ju duhet të bëni verifikime që njerëzit mos zhyten në llumin e gjysmë të vërtetave
Kemi fituar procese në Arbitrazhe, por nuk kemi humbur asnjë. Vazhdojmë përpjekjet në rrugë legale për t’i zmbrapsur këto vendime.
Ka edhe një rregull, që nuk duhet bërë komente. Sepse çdo koment konsiderohet shkelje e procesit të rregullit gjyqësor”, tha kryeministri Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje