Futboll

Hysaj bën 200 ndeshje në Serinë A, tani në kërkim të një fanelle të re

Mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj, luajti të dielën në mbrëmje ndeshjen e 200-të në Serinë A. Shkodrani luan në nivelin më të lartë të futbollit italian që prej sezonit 2014-2015, kur ishte pjesë e Empolit dhe më pas 6 sezone me Napolin. Shifra të kënaqshme për futbollistin shqiptar, të cilit i ka përfunduar kontrata me Napolin.

Hysaj ishte titullar ndaj Veronës dhe nuk bëri ndeshjen më të mirë. Ai ka një pjesë të fajit për golin e pësuar, pasi nuk arriti t’i mbyllte hapësirën sulmuesit kundërshtar. Më pas u ndërrua nga trajneri Gatuzo, që javët e fundit e kishte kthyer në një titullar fiks në krahun e majtë të mbrojtjes. Tashmë që Gatuzo është larguar zyrtarisht nga stoli i Napolit, edhe shanset për qëndrimin e Hysajt janë thuajse zero.

Elseid Hysaj, 27 vjeç. Gazeta Si, 24 maj 2021

Duke qenë se mbrojtësi kuqezi nuk ka kontratë, kërkesat për të janë të shumta, pasi do të ishte një blerje me parametra zero. Mundësitë më të mëdha janë që Hysaj të qëndrojë në Serinë A, me një nga klubet elitare, por oferta ka pasur edhe nga Spanja, e fundit nga Sevilja.

Vetë Hysaj ka folur gjithmonë me diplomaci për të ardhmen, duke theksuar se do të respektonte deri në fund kontratën me Napolin, si një profesionist i vërtetë. Tashmë kjo kontratë ka përfunduar dhe mbrojtësi shkodran, bashkë me agjentin e tij, do të marrin vendimin për të ardhmen, pasi të vlerësojnë me kujdes të gjitha opsionet. Futbollisti 27-vjeçar ka një përvojë të konsiderueshme në nivele të larta dhe një profil të tijin si mbrojtës i të dy krahëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë