Elseid Hysaj është gjithmonë e më i preferuar nga trajneri i Napolit, Ivan Xhenaro Gazuto. Kapiteni i Kombëtares shqiptare ishte titullar edhe në ndeshjen me Atalantën, ku skuadra e tij fitoi thellë, 4-1.
Një fitore që e ngjit Napolin në vend të tretë, pas ndalesës së Juventusit në Krotone. Skuadra e Hysajt ka 8 pikë dhe njeh vetëm fitore në fushë në këto 4 javë kampionat, por ka humbur në tavolinë ndeshjen me Juventusin dhe i është zbritur edhe një pikë nga klasifikimi, kështu që tani ka 8 pikë.
Hysaj u vlerësua me notën 6.5 nga shtypi sportiv italian për paraqitjen e bërë në ndeshjen e djeshme, ku Napoli e zgjidhi gjithçka brenda pjesës së parë. Mbrojtësi kuqezi luajti 90 minuta. Vetëm një pjesë loje për Berat Gjimshitin tek Atalanta, i cili ndoshta për shkak të lodhjes nga dy ndeshjet e Kombëtares, e nisi ndeshjen nga stoli. Trajneri Gasperini e hodhi në fushë pas pushimit dhe Gjimshiti u vlerësua me notën 5.5.

Një humbje të rëndë ka pësuar edhe Lacio e Tomas Strakoshës, që është mundur 3-0 në javën e katërt të Serisë A nga Sampdoria. Një ndeshje “horror” për të besuarit e trajnerit Simone Inzagi, që vuajtën shumë në mbrojtje. Strakosha është ndër të vetmit në prapavijë që u shpëton disi kritikave dhe për nivelin e paraqitur në këtë ndeshje ai ka marrë notën 6. Këtë fundjavë, nga kuqezinjtë e Italisë ka shkëlqyer mesfushori Emanuele Ndoj, autor i dy golave për Breshian ndaj Leçes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje