U duk se përplasja e Elseid Hysajt me disa tifozë të Lacios, për shkak të këngës “Bella Ciao” që mbrojtësi kuqezi zgjodhi për prezantimin para ekipit, do të mbyllej aty për aty, por në mënyrë të pakuptimtë ajo mori përmasa më të mëdha. Ultrasit e Lacios, të njohur për bindjet e tyre fashiste, e sulmuan menjëherë Hysajn në rrjetet sociale, ndërsa tifozë të tjerë e vlerësuan.
Më pas u fshinë videot e postuara nga Luis Alberto në rrjetet sociale, me Hysajn duke kënduar, por edhe kjo nuk mjaftoi. Një grup tifozësh kërkuan takim me futbollistin shqiptar, Igli Tare u mundua t’i qetësonte, kurse klubi kërkoi që kjo çështje të mbyllej menjëherë. Por ultrasit lacialë e kanë vazhduar sulmin ndaj lojtarit shqiptar dhe kanë vendosur një parullë të madhe kundër tij, ku e quajnë Hysajn krimb.

Mbrëmjen e së hënës, emri i lojtarit shkodran u shfaq në një parullë të vendosur në urën “Corso Francia”, siç ndodh gjithmonë me tifogrupin e Lacios që kur stadiumet janë mbyllur. Në këtë parullë shkruhej: “Hysaj krimb, Lacio është fashiste”. Franko Kostantino, një nga eksponentët e këtij tifogrupi, për “Adnkronos” ka thënë: “Historikisht ne jemi një tifozëri e ekstremit të djathtë dhe këtë e them me krenari. Ajo ‘Bella Ciao’ e kënduar me fanellën e Lacios nuk shkon, Hysaj ka gabuar dhe nuk ka justifikime”.
Në këtë situatë, klubi ka dalë me një komunikatë zyrtare, ku shkruan: “Është detyra jonë të mbrojmë një lojtar të skuadrës. Nuk duam që ai të bëhet instrument i politikave që në këtë rast nuk kanë të bëjnë fare me kontekstin informal dhe miqësor, në të cilën u zhvillua ai episod. Grumbullimi i skuadrës duhet të vazhdojë me një klimë të qetë, si deri tani”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje