Futboll

Hysaj mbyll pistën e Romës, Strakosha i dërgon një mesazh Juventusit

Elseid Hysaj, sipas të gjitha gjasave, do të largohet nga Napoli pas mbylljes së këtij sezoni. Për të ardhmen e tij është përfolur jo pak edhe Roma, por agjenti i kapitenit kuqezi, Mario Xhufredi, e mohon kategorikisht këtë pistë: “Oferta për Hysajn? Me problemet që janë aktualisht, nuk mendohet shumë për merkaton. Kalimi i Hysajt te Roma është vetëm një budallallëk i madh”, – tha për “Radio Punto Nuovo” agjenti i mbrojtësit shkodran, duke e mbyllur përfundimisht hipotezën e kalimit të Hysajt te Roma.

Një tjetër kuqezi në qendër të vëmendjes në Itali është portieri Tomas Strakosha, për vetë faktin se Lacio lufton për titullin kampion. Dhe “gardiani” shqiptar i portës së Lacios nuk fshihet aspak. “Nuk mund të ndalosh kurrë së ëndërruari. Kishim objektiv kualifikimin në Ligën e Kampionëve, por tani duam titullin kampion”, – thekson Strakosha për “Lazio Style Channel”. Më tej ai shton: “Nuk mendonim se do të ishim në luftë për titullin. Hap pas hapi kemi nisur të besojmë. Kemi kualitet dhe është shumë e rëndësishme të kapim sërish formën fizike”.

Tomas Strakosha, portieri kuqezi i Lacios. Gazeta Si, 21 maj 2020

Për formën e tij, portieri shqiptar thotë: “Për fat të mirë, jam kthyer në dispozicion të trajnerit pas një problemi të vogël. Situata është përmirësuar, presim vetëm datën e rifillimit të Serisë A. Psikologjikisht jemi shumë mirë, futbolli është jeta jonë, është një sport që mban njerëzit të bashkuar. Ka rëndësi që ta menaxhojmë mirë situatën dhe grupin e lojtarëve, sepse do të luajmë çdo tri ditë në korrik dhe gusht. Do të jetë shumë e lodhshme”.

Portieri kuqezi flet me superlativa për rritje sportive të Lacios: “Skuadra është rritur në mentalitet, ndërsa teknikisht ishte parë qartë edhe më parë se kemi kualitet. Trajneri Inzagi ka sjellë besim dhe duam të përmirësohemi ende. Jam një person i qetë dhe dua t’u përcjell qetësi edhe shokëve të skuadrës. Duhej kohë për të kapur këtë nivel dhe tani po marrim përgjegjësi. Në këtë mënyrë do të argëtojmë njerëzit dhe do të krijojmë shanset tona.

Jemi si një familje, sepse nuk ka pasur shumë lëvizje lojtarësh gjatë këtij cikli. Ka pasur vazhdimësi. Shpresoj që në fund të kampionatit Lacio të ketë mbrojtjen më të mirë. Luajmë për njëri-tjetrin dhe është meritë edhe stafit teknik që ka futur këtë frymë. Është e rëndësishme të besosh te lojtarët që arrijnë t’i ndryshojnë ndeshjet vetëm, të dish që ke shokë skuadre që janë në gjendje të marrin topin edhe në mes të katër kundërshtarëve. Të jep siguri”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë