Napoli po kalon një moment shumë të mirë dhe këtë e ka vërtetuar me fitoren 0-2 në fushën e Veronës. Pas fitimit të Kupës së Italisë, skuadra e kapitenit të Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, është plotësisht në garë për një vend në Ligën e Europës. Me këtë fitore, Napoli është ngjitur në kuotën e 41 pikë dhe mban vendin e 6-të.
Hysaj e nisi këtë ndeshje titullar, në krahun e majtë të mbrojtjes, për t’u zëvendësuar në mesin e pjesës së dytë nga trajneri Gatuzo. Ishte një paraqitje mesatare për mbrojtësin shkodran, i vlerësuar me notën 6 nga specialistët italianë. Po të njëjtën notë ka marrë edhe Marash Kumbulla për paraqitjen në këtë ndeshje, ku luajti 90 minuta, si zakonisht. Mbrojtësi 20-vjeçar duket sikur ka humbur diçka nga shkëlqimi i tij, por sigurisht që mbetet një nga pistat më të nxehta të merkatos.

Titullar me Veronën ishte edhe mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani, i cili ishte pak më lart se dy kuqezinjtë dhe është vlerësuar me notën 6.5. Rrahmani është zyrtarisht një lojtar i Napolit, pasi ka firmosur muaj më parë, por do ta mbyllë sezonin me Veronën. Ka luajtur pak minuta këtë radhë edhe mbrojtësi Kastriot Dermaku, i cili hyri në fushë në minutën e 79-të. Parma e tij fitoi 1-4 në fushën e Xhenoas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje