Politike

“I huaji Leli”, Rama porosi socialistëve të Vlorës: Trajtojeni si kryebashkiak të një partie tjetër

Kryeministri Edi Rama u ndal këtë të diel në Vlorë për të mbledhur drejtuesit e Partisë Socialiste të këtij qarku, pikërisht në teatrin “Petro Marko” të qytetit, aty ku këshilltarët bashkiakë socialistë janë përpjekur disa herë pa sukses që të mblidhen me Dritan Lelin.

Porosia e Ramës për drejtuesit vendorë të Partisë Socialiste ka qenë vetëm një: Dritan Leli nuk ka më vend në PS dhe prandaj ai duhet të trajtohet si “i huaj”.

Kryesocialisti është shprehur në mbledhje se beteja me kryebashkiakun e Vlorës do të vijojë, por me porosinë që kjo përballje të mos shndërrohet në personale.

“Këshilltarët të bëjnë detyrën, të bëjnë kontrolle sikur të ishte një kryetar partie çfarëdo. Do të duhej të kishte dhënë dorëheqjen, por meqenëse nuk pranon, ne do të vijojmë betejën. Ai zgjodhi vetë rrugën e tij”, ka deklaruar Rama para socialistëve të Vlorës.

Kryeministri u ka premtuar se do të vijojë të jetë i angazhuar në këtë qark, pavarësisht se në Parlamentin e ri do të përfaqësojë qytetarët e Durrësit.

“Do të vazhdoj të jem në Vlorë siç kam qenë pa asnjë dyshim, madje edhe më shumë se me Vlorën nuk më ka lidhur mandati i deputetit dhe nuk më ndan ndarja e mandatit të deputetit. E rëndësishme është që vijojmë punën në Vlorë dhe gjithë qarkun si dhe Shqipërinë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë