Politike

‘I kam hyrë detit me këmbë’/Synohet mbështetje për Luçiano Boçin në Elbasan, Meta zbret për herë të parë në bazë me Berishën

Ilir Meta ka zbritur në bazë me Sali Berishën për zgjedhjet e ardhshme lokale. Ai ka qenë në një tavoline me Berishën për herë të parë në 32 vjetorin e  themelimit të degës së Elbasanit më shumë si një mesazh përbashkimi për kandidatin e PD-së në Elbasan, Luçiano Boçi i cili pranoi se në garën për Elbasanin i ka hyrë detit me këmbë.

Krah Luçiano Boçit ishin figura të tjera të PD me kontribute në Elbasan, ndërsa si një mënyrë për të afruar edhe Rudina Hajdarin (e cila garoi zgjedhjet e fundit parlamentare në atë qark me një tjetër sigël), në fjalën e tij Boçi përmendi vlerat e të atit Azem Hajdari.

“Ne e duam votën e lirë. Kam vendosur bashkë me ju si misionar t’i hyjë detit në këmbë, për t’i kthyer Elbasanit jetën, ndriçimin dhe zhvillimin që meriton”, tha Boçi i cili u mbështet përmes një fjale edhe nga ish-kryetari i PD-së Aurel Bylykbashi, që deri dje gëzonte marrëdhënie shumë të mira edhe me Lulzim Bashën.

Boçi mbajti një fjalë po aq të kujdesshme kur bëhet fjalë për situatën në të cilën ndodhet PD-ja.

“Përulemi me respekt para themeluesve sepse ata që e sollën mes nesh, në Tiranë, Elbasan dhe gjithë Shqipërinë, ishin ëndërrues, humanistë të pashoq, liberatorë vizionarë, idealiteti i të cilëve ishte i sinqertë, i vërtetë, racional, hyjnor dhe tokësor.

Disa prej tyre nuk janë sot me ne, pasi janë ndarë fizikisht, të tjerë ndoshta koha dhe rrethanat i kanë lënë me kokën mënjanë, dikush dhe mund të ketë kapërcyer politikisht, si moment personal, por megjithatë, ata të gjithë sot meritojnë nderim e respekt, sepse kauza që ata shpallën në ato ditë ishte më sublime se çdo sakrificë, me e madhërishme se çdo shtatore, më e vërtetë se çdo ideologji dhe më njerëzore se çdo sentiment. Kjo kauzë ishte liria dhe demokracia”, tha Boçi.

“14 maji është një moment i shkëlqyer, ky është edhe thelbi i marrëveshjes që kemi me PD-në. dua të shpreh akoma përkrahjen më të sinqertë për kryebashkiakun e ardhshëm të PD-së Luçiano Boçin. Ai më shumë kurajo i është përgjigjur thirrjes suaj për t’ja rikthyer këtë qytet qytetarëve. Një vizion që e ka demonstruar dhe në Kuvend dhe kudo” tha Meta gjatë fjalës.

“Ne vijmë sot në këtë moment para shqiptarëve, për të përmbysur monizmin e Edi Ramës më të përgatitur se kurrë. Ne paraqesim para shqiptarëve kandidaturat e lirisë, jo të shpellave, jo të zarfave dhe klaneve mafioze. Avantazh i jashtëzakonshëm. Ne kemi një aleancë të shkëlqyer me Partinë e Lirisë dhe të gjitha forcat opozitare të cilat besojnë se ky regjim duhet përmbysur një minutë e më parë”, tha në fund të ceremonisë Sali Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë