Politike

“I shkulim veshin Presidentit”. Socialistët miratojnë me rezerva raportin

Komisionit Hetimor Parlamentar për hetimin e ligjshmërisë së veprimtarisë së Presidentit Ilir Meta miratoi me 6 vota pro raportin përfundimtar, ku në vend të kërkesës për shkarkim të Presidentit, do t’i sugjerohet Kuvendit që të ndërhyjë në Kushtetutë dhe të rregullojë me ligj të veçantë veprimtarinë e tij.

Pro raportit përfundimtar votuan deputetët Ulsi Manja, Bashkim Fino, Vasilika Hysi, Alket Hyseni, dhe relatorja Klotilda Bushka nga socialistët. Votës së tyre pro iu bashkangjit nga opozita vota e deputetit Krenar Rryçi. Votën pro deklaroi edhe deputeti Adriatik Alimadhi, po nga opozita, por në momentin e votimit ai nuk ishte i pranishëm, ndërsa dy deputët e tjerë të opozitës parlamentare, Halit Valteri dhe Alban Zeneli braktisën mbledhjen pas paraqitjes së kërkesës së tyre që në seancë të kërkohet shkarkimi i Presidentit për shkelje të rënda të Kushtetutës. Kërkesa e opozitës nuk do të dorëzohet si raport më vete, por do t’i bashkangjitet raportit të mazhorancës si mendim i pakicës, së bashku me vërejtjet dhe rezervat e shprehura nga deputetët socialistë, Bashkim Fino dhe Vasilika Hysi.

Raporti, siç u paralajmërua nga relatorja Klotilda Bushka javën e kaluar, përqëndrohej më shumë në dhënien e një “vërejtjeje” për Presidentit për shkelje të Kushtetutës dhe kërkohet shkarkimin e tij duke argumentuar se “shkeljet jo domosdoshmërisht mund të justifikojnë shkarkimin”.

Në vend të shkarkimit, raporti i Këshillon Kuvendit ndërmarrjen e tre nismave, dy në nivel Kushtetues dhe një në nivel ligjor. Ai kërkon rishikimin e dispozitva kushtetuese për të qartësuar kompetencat formale dhe substanciale të Presidentit. Kompetencat formalet lidhen me betimet, ndërsa ato substanciale me dekretet e Presidentit.

Së dyti, Komisioni i kërkon Kuvendit që të përcaktojë një mekanizëm zhbllokues, si në nivel Kushtetute, ashtu edhe në nivel ligjor për të zhbllokuar rastet kur Presidenti nuk ushtron detyrën dhe kompetencat e tij.

Së treti, Komisioni i sugjeron Kuvendit që të shqyrtojë mundësinë e rregullimit me ligj të kompetencave dhe privilegjeve të Presidentit të Republikës, që deri më tani vepron vetëm mbi bazën e Kushtetutës.

Raporti gjen shkelje, por ashtu siç është shprehur edhe Komisioni i Venecias në të dy opinionet e dhëna për përplasjen për zgjedhjet vendore të 30 qershorit të vitit të kaluar dhe më vonë për radhën e emërimëve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, shkeljet nuk vlerësohen si të mjaftueshme “të rënda” për të legjitimuar shkarkimin e tij.

Duke iu referuar edhe dy opinioneve të Venecias, kreu i Komisionit, Ulsi Manja tha se përsa kohë nuk ka një përcaktim nga Gjykata Kushtetuese se çfarë përbën shkelje të rëndë dhe çfarë jo, ky Komision nuk mund të kërkojë shkarkimin.

“Nuk kemi një ndarje me vendim nga ana e Gjykatës Kushtetuese se çfarë konsiderohet shkelje e rëndë dhe shkelje e lehtë e Kushtetutës”, tha Manja.

Rezervat e Bashkim Finos dhe të Vasilika Hysit

Përpjekja e socialistëve për të pasqyruar në këtë raport shkeljet e gjetura të Kushtetutës nga ana e Presidentit Meta, por edhe për të mos kërkuar shkarkimin e tij është kundërshtuar nga Fino. Deputeti socialist, anëtar i këtij Komisioni kërkoi që gjërat të ndahen; ose të kërkohet shkarkimi, ose të rrëzohet kjo kërkesë. Rrugë të mesme, tha ai, nuk mund të ketë.

“Kolegë deputetë, unë ju ftoj që të reflektojmë. Ne këtu kemi vetëm dy opsione, ose të votojmë pro, ose të votojmë kundër. Të votojmë me rezoluta, unë këtë nuk mund ta pranoj. Unë jam gati të votoj edhe kundër shkarkimit të Presidentit”, u shpreh ai.

Deputetja Vasilika Hysi tha se do ta votojë raportin, megjithëse shfaqi rezerva për të. Ajo ngriti disa pyetje në lidhje me tre sugjerimet kryesore që ofron raporti.

“Sugjerimin për një ligj organik për Presidentin….dakord, por a jeni të bindur se me ligj zgjidhet problematika? Kush do ta harrojë ligjin? E dyta, propozohen ndryshime në Kushtetutë. Ne e kemi Kushtetutën në proces ndryshimi. Do t’i rikthehemi Kushtetutës përsëri? E treta, këtu flitet për lehtësim, ose thjeshtësim të dispozitave për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe për mosushtrimin e betimit. Pra, nëse Presidenti nuk do të zbatojë kompetencat në frymën për ngritjen e institucioneve, duhet të parashikojmë gjithmonë që mund të ketë një President dhe ne na duhet mekanizmi zhbllokues. Ndjehem pak e fyer, sepse mendoj se Presidenti përfaqëson unitetin e popullit dhe duhet të jetë i gatshëm që të ofrojë zgjidhje kurdoherë dhe jo të bllokojë. Unë do ta votoj këtë raport, por ka nevojë për një frymë tjetër në organizimin dhe funksionimin e të gjithë institucioneve dhe besoj që edhe Presidenti do të dijë ta lexojë këtë raport”, deklaroi Hysi.

Hysi tha se nga leximi i raportit të krijohet përshtypja se Presidenti duhet të kryejë më shumë shkelje që të shkarkohet, ndërsa nga opozita parlamentare akuzuan mazhorancën se po përdor këtë Komision dhe hetim për “pazare” me Ilir Metën.

“Për pazare politike, marrëveshje kryeministrore me Presidentin, ne nuk mund të përdoremi. Do t’i bashkangjitemi raportit që do të çojë mazhoranca, por me një ndryshim; ne do të kërkojmë shkarkimin e Presidentit. Nëse dikush mendon se mund të përdorë deputetët për të bërë pazarin e radhës, ta harrojë këtë”, u shpreh relatori i opozitës, Halit Valteri.

Socialisti Alket Hyseni e cilësoi korrekt raportin. Ai tha se në vetvete Komisioni nuk është ngritur dhe mbledhur për shkarkimin e Presidentit, por për të kontrolluar ligjshmërinë e vendimeve dhe veprimeve të tij. Raporti, sipas Hyseni, është një “tërheqje e fortë e veshit të Presidentit”.

“Me këtë raport ne i shkulim veshin Presidentit, është gjë tjetër nëse ai do të dijë ta lexojë apo jo”, deklaroi Hyseni.

Dinjiteti dhe serioziteti i Komisionit

Komisioni i ngritur një vit më parë, është i pari në historinë e Shqipërisë që ngrihet për të hetuar një President dhe si i tillë puna e tij do të duhet të shërbejë si precedent, apo udhërrëfyes në komisione të ngjashme që mund të ngrihen në të ardhmen.

Që prej ditës së parë, puna e këtij komisioni është shoqëruar me dritë-hijet mbi aftësinë, kapacitetet, seriozitetin dhe dinjitetin në detyrën e marrë përsipër. Megjithatë, për kryetarin e këtij Komisioni, misioni është përmbushur me sukses.

“Dinjiteti i këtij komisioni nuk përcaktohet nëse sugjeron shkarkimin, ose jo të Presidentit, por nga kontributi që ky Komision ka dhënë dhe do të japë në të ardhmen për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe kushtetues. Në vlerësimin tim, ky është kontributi kryesor dhe në këtë këndvështrim duhet të shikohet edhe ky raport i shkëlqyer që ne do të miratojmë sot. Ky është nga të paktat komisione hetimore të ngritur nga Parlamenti që miraton sot një produkt përfundimtar”, deklaroi Ulsi Manja.

Por, dinjitetin dhe seriozitetin e këtij Komisioni e vendos në dyshim Instituti i Studimeve Politike. Ky institut vëren se deputetë që firmosën kërkesën për nisjen e procedurave për shkarkimin e Metës një vit më parë, që kërkuan edhe ndryshimet për betimet, një vit më vonë dalin kundër vetvetes dhe heqin dorë nga kërkesa për shkarkim.

“Pas një viti thuajse të njëjtit deputetë jo vetëm ndryshuan mendje dhe qëndrim politik duke u tërhequr nga kërkesa për shkarkim, por madje deklaruan plot patos juridik se nuk kanë kërkuar shkarkimin e Presidentit, por vetëm hetimin e tij! Duke i dëgjuar të krijohej përshtypja se jo ata, por dikush jashtë tyre kishte kërkuar shkarkimin e Presidentit! Tipike për standardin dhe nivelin ku ka rënë politika në Shqipëri!”, thotë ISP.

Instituti thotë se kjo shpjegohet vetëm përmes dy mundësive.

“Kjo do të thotë se disa nga ata ose nuk kanë lexuar/kuptuar tekstin që kanë firmosur një vit më parë, ose nuk e kanë lexuar/kuptuar si duhet Kushtetutën, ose si atëherë edhe tani u janë bindur urdhrave politikë për tërheqje qëndrimi, ose në rastin më ekstrem, nuk kanë gjetur fakte për shkelje të rënda për shkarkimin”, vëren Instituti i Studimeve Politike.

ISP thotë se komisioni i parë në historinë e parlamentit për shkarkimin e Presidentit, këtij Komisioni i mungoi serioziteti.

“Një nismë kaq serioze kërkon përgjegjësi serioze, rezultate serioze dhe reflektime serioze, pritshmëri që nuk u përmbushën as në formë dhe as në përmbajtje si dhe nuk priten të kenë impakt pozitiv për standardet e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale në Shqipëri. Parlamenti mbetet po ai, Presidenti po ai, Kushtetuta po ajo, por secili/secila në raport të ndryshëm me të drejtën!”, thuhet në reagimin e Institutit të Studimeve Politike.

ISP shprehet se mbetet në të drejtën e deputetëve që në secilin rast të vendosin dhe ndryshojnë mendje, por ata duhet të kërkojnë ndjesë për koston politike dhe institucionale që i sollën vendit, për dy standardet në retorikën politike e publike, si edhe për faktin se puna e Komisionit ka pasur edhe një kosto të lartë financiare, përfitues të së cilës kryesisht janë vetë këta deputetë.

Sa i takon kostos financiare, Komisioni ka zhvilluar 13 mbledhje në total. Për çdo mbledhje, anëtarët e Komisionit, sipas një vendimit të 2014 të Parlamentit përfitojnë 2 mijë lek bonus. Komisioni ka 9 anëtarë dhe vetëm shpenzimet për pagesat e tyre nuk shkojnë më shumë se 2.5 mln lek të vjetra. Por këtu janë pa llogaritur shpenzimet shtesë për administratën, apo shpenzimet që lidhen me aktivizimin në dy raste të Komisionit të Venecias dhe të ekspertëve të tij, që janë edhe zëri kryesor në këto shpenzime, e që fatura në fund paguhet nga shteti shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë