Bota

I vrau dhe trupat i treti në acid, arrestohet pas 17 vitesh arrati vrasësi i ‘Ndraghetës’

Është kapur në Francë një vrasës italian i cili ishte në arrati që nga viti 2006, pasi ishte fshehur duke u shtirur si picajol për të paktën tre vite. Edgardo Greco është pjesë e ‘Ndrangheta-s’.

Kapja e Edgardo Greco në Saint-Étienne është arrestimi i dytë i profilit të lartë mafioz nga autoritetet italiane brenda pak javësh.

Matteo Messina Denaro ishte në arrati për 30 vjet, kur u ndalua në një vizitë në një klinikë në Siçili.

Të dy ishin në kërkim për kryerjen e vrasjeve të tmerrshme në vitet 1990.

Ndërsa Messina Denaro ishte “bosi i bosëve” për Cosa Nostra-n famëkeqe të Siçilisë, Greco ishte pjesë e ‘Ndrangheta’ që e ka origjinën nga rajoni i Kalabrisë.

Ndrangheta janë mafia më e fuqishme në Itali dhe ndikimi i tyre shtrihet në të gjithë Europën dhe Amerikën e Jugut.

Greco, 63 vjeç, ishte në kërkim për vrasjen e dy vëllezërve gjatë një “lufte mafioze” mes dy bandave në fillim të viteve 1990.

Stefano dhe Giuseppe Bartolomeo u rrahën për vdekje në qytetin e vogël të Kozencës në janar 1991. Trupat e tyre nuk u gjetën kurrë dhe besohet se janë tretur në acid.

Greco u akuzua gjithashtu për tentativën e vrasjes së një burri tjetër më vonë atë vit në të njëjtin qytet.

Kur një gjykatës lëshoi një urdhër arresti për të në vitin 2006, Greco u arratis.

Tetë vjet më vonë, ai shkoi të jetonte në qytetin francez të Saint-Étienne, në jug-perëndim të Lionit, duke punuar si picajol në një restorant Italian.

Megjithatë, ai ndiqej ende nga prokurori I antimafias së Italisë, Nicola Gratteri, i cili ka shpenzuar dekada duke luftuar ngritjen e ‘Ndrangheta’.

Në një deklaratë, Karabinierët e Italisë thnë se që nga viti 2019, hetuesit kishin gjurmuar rrjetin mbështetës të Grecos, i cili përfundimisht i çoi ata në Saint-Étienne.

Ministri i Brendshëm italian Matteo Piantedosi vlerësoi policinë për kapjen e një prej kriminelëve më të këqij të Italisë, ndërsa kreu i rajonit të Kalabrisë, Roberto Occhiuto, tha se arrestimi tregon angazhimin e Italisë në luftën kundër të gjitha formave të krimit të organizuar.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë