Kreu i KLP, Gent Ibrahimi, ka njoftuar se më 19 mars hapet gara për Prokuror të Përgjithshëm, i cili do zëvendësojë kryeprokuroren e Përkohshme, Arta Marku. Në dhjetor të vitit 2017 parlamenti, vetëm me votat e shumicës votoi Arta Markun si prokurore të Përkohshme të Përgjithshme. Gent Ibrahimi theksoi në qershor Shqipëria do të ketë Prokurorin e ri të Përgjithshëm.
“Ligji na jep tre muaj kohë pas konstituimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për përgatitjen e rregullores. Në datë 19 mars hapet gara për prokurorin e Përgjithshëm”, deklaroi ai.
Në lidhje me SPAK, organin që do të hetojë korrupsionin e zyrtarëve të lartë në Shqipëri, Ibrahimi ka bërë të ditur se deri më tani kanë aplikuar 11 kandidatë, ndërkohë që kanë mbetur edhe 7 ditë afat.
Për vendet vakante mund të kandidojnë të gjithë prokurorët që kanë mbi 10 vite eksperiencë dhe që nuk kanë pasur masë disiplinore në fuqi. Përjashtohen nga kandidimi anëtarët e KLP-së. Ky organ është parashikuar për t’u ngritur me 15 anëtarë. Mësohet se për të qenë pjesë e anëtareve të SPAK kanë aplikuar prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Arben Kraja, Prokurori i Krimeve të Rënda Vladimir Mara si dhe Prokurori i Krimeve të Rënda, Dritan Prençi.
Më herët për të qenë pjesë e strukturave të SPAK kanë aplikuar Doloreza Musabelliu, Eugen Beci, Anton Martini, Besnik Muçi dhe Klodian Braho.
Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) në një raport sa i përket ecurisë së procesit të ngritjes së SPAK, por edhe Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, theksonte se edhe pse deri në datën 7 shkurt 2019 mbetet ende kohë për të aplikuar, numri i ulët i deritanishëm i aplikimeve përbën një sinjal jo pozitiv për ecurinë e ngritjes së SPAK.
Një numër i madh i prokurorëve të Krimeve të Rënda, ndër kandidatët më të mundshëm për SPAK do të duhet t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit.
“Nevoja për të prioritarizuar rivlerësimin e tyre mbetet tejet imediate, duke pasur në konsideratë që ky proces është kushti kryesor për emërimin e tyre në Prokurorinë e Posaçme”, theksonte raporti.
Çfarë është SPAK?
Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në emër të shtetit para Gjykatës së Shkallës së Parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Gjykatës së Lartë. Merr masa dhe mbikëqyr ekzekutimin e vendimeve penale, si dhe kryen detyra të tjera të ngarkuara me ligj. Pra, SPAK së bashku me Gjykatën Speciale do të ketë si objektiv korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe krimin e organizuar. Me ngritjen e Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale hapet dhe rruga për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila do të funksionojë sipas modelit të FBI-së amerikane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje