Futboll

Ibrahimoviç ka shkelur kodin e FIFA-s, bashkëpronar në një kompani bastesh

Periudhë mjaft delikate për Zllatan Ibahimoviç. Nuk ka paqe për të në këto ditë të fundit. Pas kartonit të kuq ndaj Parmës dhe drekës në restorant në një zonë të kuqe e pa maskë, nga Suedia vjen një tjetër lajm tronditës.

E përditshmja “Aftonbladet” shkruan se sulmuesi 39-vjeçar ka shkelur kodin e FIFA-s dhe UEFA-s, duke qenë bashkëpronar i kompanisë së basteve sportive “Bethard.com”, me seli në Maltë. Dy intitucionet drejtuese të futbollit botëror dhe atij europian nuk lejojnë që lojtarët që marrin pjesë në aktivitet të kenë lidhje financiare me kompani të këtij lloji.

Zllatan Ibrahimoviç. Gazeta Si, 14 prill 2021

Fakti që Ibrahimoviç ka ende kuota te “Bethard” i është konfirmuar gazetës suedeze nga administratori i deleguar i kompanisë, Erik Skarp. Nga disa verifikime të fundit ka rezultuar se kompania “Unknown AB” e Zllatan Ibrahimoviç zotëron rreth 10% të aksioneve të “Gameday Group PLC”, aksioneri i vetëm i “Bethard”.

Rregullat e FIFA-s aplikohen në të gjitha kompeticionet dhe rregullat e UEFA-s aplikohen në të gjitha ndeshjet. Kjo do të thotë se në shënjestër janë si ndeshjet kualifikuese të Botërorit, ku Ibrahimoviç ka marrë pjesë kohët e fundit, ashtu edhe ndeshjet e Ligës së Europës, ku ka luajtur Milani.

Nëse gjithçka konfirmohet edhe zyrtarisht, Ibrahimoviç rrezikon një gjobë rreth 100 mijë euro nga FIFA, por mund të ketë edhe një pezullim të tij nga çdo aktivitet futbollistik maksimumi për 3 vjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë