Futboll

Ibrahimoviç nuk perëndon kurrë, ky Milan është një makineri perfekte

Sfida e parë me një rival direkt është dominuar në çdo aspekt. Milani tregoi supermaci në çdo repart ndaj Lacios, me një lojë skuadre të konsoliduar. Ndryshojnë interpretuesit, por rezultati mbetet i njëjtë, ky Milan mund të ëndërrojë për gjëra të bukura.

E ka thënë këtë gjë qartë ndeshja e fundit në “San Siro”, ku skuadra tregoi rritje fizike, duke e bërë Lacion të vuajë presingun kuqezi te lojtarët e saj kyç. Tri pikët e mbajnë Milanin në krye të klasifikimit dhe janë 118 pikë në 53 ndeshje nga qershori i 2020-ës, me një mesatare pikësh prej 2.22 në ndeshje.

Janë një konfirmim “statistikor” i punës së mirë të Piolit dhe stafit të tij. Një Ibrahimoviç i rikthyer me gjithë forcën e tij, një Leao i shndërruar në konkret dhe cinik, një Tonali që është çliruar psikologjikisht dhe arrin të shprehë gjithë vlerat e tij. Qartësi të vjetra dhe të reja.

Një Milan solid, që imponon menjëherë ritmin e tij në ndeshje dhe e lë kundërshtarin pa oksigjen. Jashtë ishin Kjaer, Saelemaekers, Benaser dhe me Zhiru të ndalur nga Covid-i, luajtën kapiteni Romanjoli, Florenci dhe Rebiç, i cili dha dy asiste. Pioli i ndërron lojtarët për zgjedhje ose nevojë, por substanca është ajo e një skuadre që luan si skuadër.

Pastaj është Ibrahimoviç, që mbush 40 vjeç më 3 tetor. Një “look” i ri për rikthimin në fushë 3 muaj pas operacionit në gju dhe shumë dëshirë për të udhëhequr Milanin “e tij”, për të treguar frymën e liderit edhe në ndeshje, jo vetëm duke i nxitur shokët nga jashtë. Asgjë nuk ka ndryshuar, suedezi është po ai. Ja ku shfaqet 175 ditë pas golit të fundit (21 mars ndaj Fiorentinës).

Por sot më shumë se kurrë Milani nuk ëhstë më vetëm Ibra. Një paraqitje shumë e mirë ndaj Lacios dhe një shtysë e rëndësishme në prag të sfidës së Championsit në “Anfield” kundër Liverpulit. Një rikthim i shumëpritur për kuqezinjtë, që meriton “veshjen” më të mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë