Futboll

Ide gjeniale në Danimarkë, lindin tifozët virtualë në tribuna

Të gjithë e pranojnë se pandemia e koronavirusit do ta ndryshojë botën e sportit dhe të futbollit në veçanti. Pritet të ketë gjëra që nuk janë parë në të kaluarën, jo vetëm sa i takon fushës së blertë, por edhe tifozëve në shkallët e stadiumit. Ideja e parë brilante vjen nga Danimarka.

Klubi i Aarhus Gymnastikforening, ose shkurt AGF, që merr pjesë në nivelin elitar të futbollit në Danimarkë, ka bërë të ditur se në ndeshjen e parë në program ndaj Randers, në stadium do të jetë e mundur prania e tifozëve. Si? Me anë të aplikacionit “Zoom”, që shërben për video-telefonatat dhe që kohët e fundit është bërë shumë popullor në mbarë botën për shkak të karantinës.

Foto e klubit danez për risinë me tifozët. Gazeta Si, 9 maj 2020

Klubi danez, me anë të administratorit Jakob Nielsen, ka sqaruar: “Kemi marrë një iniciativë dixhitale historike dhe jemi krenarë që po e eksperimentojmë të parët këtë gjë. Do të luajmë pa tifozë për pak kohë dhe ndoshta me këtë iniciativë do të jemi frymëzim edhe për klubet e tjera”. Stadiumi do të ndahet në 22 sektorë, të gjithë të aksesueshëm falas. Dhe abonentëve të “Ceres Stadium” do t’u rezervohet i njëjti vend që kanë pasur edhe para pandemisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë