Politike

Identifikimi elektronik i shumëfishtë u reduktua me tre herë në zgjedhjet e 6 marsit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se rastet e identifikimit elektronik të shumëfishtë u reduktuan me tre herë në zgjedhjet e 6 marsit në krahasim me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit të kaluar.

“Nga pikëpamja krahasimore me zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar dhe të 6 marsit, duhet thënë që qëllimi për të cilin teknologjia u kërkua dhe implementua u përmbush. Vjet vumë re një sasi rastesh, 1009 raste të dyshuara, në 6 mars, në raport me numrin e votuesve kjo është tre herë më pak. Pra, shërbimi i teknologjisë si instrument frenues për të ndaluar votimin dy herë dhe familjar, u pa në 6 mars që është përmbushur”, deklaroi nënkomisionerja e KQZ-së, Lealba Pelinku.

Nënkomisionerja foli për 47 raste të identifikuara në zgjedhjet e pjesshme vendore të fillimit të marsit.

“Që janë të ndara në tre kategori, identiteti i njëjtë në dy apo më shumë qendra votimi të ndryshme, dukuri kur i njëjti dokument identifikimi është lexuar në dy qendra votimi. Hapësira për të mundësuar këtë veprim lidhet me zgjedhësin që voton me vendim gjykate, apo zgjedhësin që është pjesë e administratës zgjedhore. E dyta lidhet me shenjën e gishtërinjëve, ku një shenjë gishti është e lidhur me më shumë se një dokument identifikimi dhe e treta, shenjat e gishtërinjve të skanuara më shumë se një herë në të njëjtën qendër votimi”, deklaroi ajo.

Ndërkohë, sa i takon votimit elektronik në të gjithë vendin në zgjedhjet vendore të 2023-t, Komisioneri Ilirjan Celibashi tha se nuk ka më kohë për t’u zbatuar. Ai përsëriti thirrjen drejtuar partive politike që të mos humbasin edhe më tej kohë me reformën zgjedhore dhe adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Sa për pjesëmarrjen, në zgjedhjet e 6 marsit ajo ishte 30 për qind. Në lidhje me grupmoshat, të rinjtë votuan më shumë në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë