Javët e fundit nuk kanë qenë pozitive për Lacion e Igli Tares, Tomas Strakoshës dhe Valon Berishës, që ka vënë në diskutim zonën Champions. Barazimi me Kievon solli edhe reagimin e drejtuesve të klubit bardhekaltër, të cilët e grumbulluan skuadrën që në fillim të javës. Ka pasur zëra edhe për një largim të mundshëm të trajnerit Simone Inzagi, por Lotito dhe Tare kanë hedhur poshtë gjithçka në këtë drejtim.
Gjithsesi, te Lacio duhen bërë disa ndryshime dhe drejtori sportiv, Igli Tare, e di mirë se çfarë duhet të bëjë në merkaton e janarit. Ai duhet të sistemojë lojtarët që nuk i duhen skuadrës dhe të rinjtë që nuk kanë mundësi aktivizimi. “Corriere dello Sport” zbulon se Tare po përpiqet fillimisht të gjejë skuadra për të huazuar Murxhian dhe Rosin. Lojtarë të tjerë që do të lënë Lacion në merkaton e dimrit janë serbi Dushan Basta, të cilit i skadon kontrata në qershor, dhe uruguaiani Kaseres.

Në të njëjtën kohë, Tare po përgatitet edhe për përforcimet, që do të jenë ta pakta. Në merkaton e verës u bënë shumë blerje, por deri tani asnjë nga lojtarët e rinj të Lacios nuk ka shpërthyer. Sinjale pozitive në ndeshjet e fundit ka dhënë Korrea. Pritet më shumë nga mesfushori kroat, Milan Badelj, ndërsa Valon Berisha duket i rikuperuar plotësisht dhe me siguri do të ketë më shumë minuta në ndeshjet e ardhshme. Gjatë kësaj kohe Lacio ka vuajtur edhe gjendjen e njërit prej lojtarëve më të mirë, mesfushorit Sergej Milinkoviç-Saviç, i cili ka humbur shumë nga forma e tij. Edhe Luis Alberto nuk është ai i sezonit të shkuar, megjithatë Tare ka shumë besim si te serbi, ashtu edhe te spanjolli, që në gjysmën e dytë të sezonit mund të jenë “armët” plus të skuadrës bardhekaltër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje