Blerja e Vedat Muriqit nga Igli Tare është konsideruar e dështuar në Itali. Sulmuesi i Kosovës nuk mundi të përshtatet në sezonin e parë në Serinë A dhe kritikat për Taren, që e bleu nga Fenerbahçe, kanë qenë të shumta. Edhe pas ndeshjes me Parmën, ku Muriqi luajti titullar dhe shpërdoroi disa raste, sulmet për këtë lojtar dhe Taren nuk kanë munguar.
“Avokatin” e drejtorit sportiv të Lacios e ka bërë gazetari italian, Luixhi Salomone, i cili është shprehur se nuk mund të sulmohet Tare për një blerje të gabuar. Ai ka sjellë në vëmendje rastin e blerjes së Imobiles si kundërargument.

“Shumica e lojtarëve të Lacios gabuan thuajse gjithcka ndaj Parmës. Kam lexuar gjykime negative për Muriqin, i cili ka kaluar një sezon të keq. Sigurisht, nuk është fenomen, por nuk mund të kritikohet kaq shumë. Më erdhi keq, sepse kam lexuar komente negative për të dhe për Taren. Mos harroni që Tare e bleu Imobilen për 9 milionë euro dhe ai ka shënuar 150 gola.
Është më e drejtë t’i themi të gjitha, kur gjykojmë. Muriqi nuk po ambientohet me ekipin, është një blerje që nuk e ka ndihmuar Lacion, por për fat të mirë ka qenë Kisedo, që ka shënuar gola që i kanë dhënë pikë skuadrës”, – ka thënë mes të tjerash gazetari italian. Më parë Tare është kritikuar edhe për ndonjë blerje tjetër, por shumicës së lojtarëve që ai ka ofruar te Lacio, u është rritur vlera shumëfish. Për këtë Tare ka marrë vlerësime dhe disa çcmime në Itali.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje