Politike

IKMT-ja në Shkodër, PD: Bllokuam emërimin e kandidatit të Tom Doshit

Partia Demokratike deklaron se pas denoncimit të tyre, kandidati i Tom Doshit nuk u emërua drejtori i ri i IKMT-së në Shkodër.

Në një deklaratë për media, deputeti i zgjedhur Enkelejd Alibeaj, thotë se pas denoncimit të selisë blu, Serdar Hoxha nuk arriti të marrë pozicionin e rëndësishëm.

Sipas tij, i zgjedhuri i Doshit, nuk do të bënte gjë tjetër, veçse do të mbushte xhepat e padronëve të tij në kurriz të interesave të qytetarëve.

Por lajmi i keq për Alibeajn, është komandimi në krye të IKMT-së Shkodër të Guri Seferit, një tjetër eksponent i Partisë Socialiste që sipas tij ka lidhje të forta me krimin.

“Ai është në atë detyrë për shkak të lidhjes me trafikun e drogës. Jo më larg se korrikun e shkuar, djali i tij, Romi Seferi, është arrestuar për trafik droge”, – deklaroi ai.

Serdar Hoxha, 25 vjeç, duhej te merrte detyrën e kreut të IKMT në 21 qershor, por në krye të këtij institucioni është komanduar Guri Seferi, i cili aktualisht mban edhe postin e N/Drejtorit të IKMT-së në Shqipëri.

Një javë më parë, u largua nga ky pozicion Ilir Niklekaj, i cili dha dorëheqjen nga ky pozicion dhe u emërua Serdar Hoxha, i cili kandidoi nën siglën e PSD në zgjedhjet e 25 prillit.

“Dekriminalizmi i politikës dhe institucioneve publike mbetet misioni ynë dhe ne do të luftojmë bashkë me shumicën e shqiptarëve që politika të pastrohet nga lidhjet me krimin dhe institucionet t’u kthehen qytetarëve. Detyra jonë ndaj shqiptarëve është të qëndrojmë të vendosur dhe të luftojmë fort për kthimin e demokracisë në vend”, – e mbyll deklaratën Alibeaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë