Politike

Porti i ri i Durrësit, Basha: S’jemi kundër zhvillimit, por duhen pyetur durrsakët. S’kam asnjë pakt me Ramën  

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në takimin me drejtues të bordit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit vlerësoi kandidaturën e Luan Hotit në garën për kryetarin e bashkisë dhe nënvizoi rëndësinë e shkëputjes nga modeli i vjetër i të bërit politike.

Në takimin e zhvilluar, kryetari i PD-së, Lulzim Basha është ndalur gjatë tek debati për ndërtimin e ri të Portit të Durrësit, ku Basha është shprehur ndër të tjera se nuk është kundër zhvillimit, porse duhet të ketë disa projekte ku të vendosin në fund durrsakët me referendum.       

“…PD është pro zhvillimit, zhvillimit të qëndrueshëm që krijon edhe vende pune gjatë zhvillimit, edhe perspektivë të qëndrueshme zhvillimi ekonomik të gjatë dhe nuk dëmton ato asete shekullore të Durrësit që janë logjistika portuale detare dhe hekurudhore.

Që të bëhet kjo, kjo punë nuk bëhet duke sjell një sheik. Se këtë punë bënë dhe në 2017-ën, sollën një sheik, thanë do bëjë kullën “Hal Habibi” tek bulevardi. Shkoni shikojeni pak se çfarë bëhet tek bulevardi i Tiranës, ku është “Hal Habibi”. S’ka “Hal Habibi”, ka përplasje të banorëve që duan t’u prishin shtëpitë me FNSH-në, “Hal Habibi” s’ka. Ishte gënjeshtër elektorale. Tani ka ardhur ky sheiku këtu, unë se paragjykoj se kush është, por kjo nuk është tokë pa zot, pa Kushtetutë, pa ligje. Po ju e dini fare mirë që motori i zhvillimit është konkurrenca dhe projekti i zhvillimit të Durrësit duhet të kalojë përmes konkurrencës së ideve dhe projekteve, të cilat duhet të jenë të qarta, të shpalosura, të diskutuara dhe të vendosura jo thjeshtë tek Nusreti i Ët, apo tek Zuma e Dubatit, por të jenë të vendosura këtu në Durrës…”, tha Basha duke sjellë një eksperiencë nga Hollanda ku për një projekt të rëndësishëm qytetarët vendosen me referendum.       

“…Si takon vetëm durrsakëve, u takon gjithë shqiptarëve! Kurse këta, për katër muaj, “laj-thaj” me katër darka te Nussret-i , vendosi se si do të duket Durrësi për 100 vitet e ardhshme?! Jo zotëri! Ky nuk është zhvillim! Ky nuk është projekt-zhvillimor! Ky është pozicioni ynë! Larg abuzimit të njërës palë, që thotë PD-ja është kundër zhvillimit. Jo, se zhvillimet më të mëdha , i kemi promovuar dhe i promovojmë ne dhe politikat tona ekonomike dhe fiskale, do të sjellin valën më të madhe të zhvillimit për vendin, në momentin që do marrim përgjegjësitë e zhvillimit të vendit.

Duke nisur me përgjegjësitë e zhvillimit të Durrësit! Dhe palën tjetër pastaj, që shikon në çdo qoshe, në fakt ata e dinë fare mirë që s’ka konspiracion, por punojnë me kulturën e vjetër të konspiracionit, si e si, për ti fryrë gajdeve të veta, s’ka rëndësi se në çfarë kosto. Jemi kundër 3D-ve që na shiten si zhvillim, dhe që fshehin, sikur asgjë tjetër, fshehin mungesë totale transparence. Ku nuk ka transparencë, nuk ka konkurrencë dhe ka korrupsion. Pikë! Jemi pro zhvillimit, por një zhvillimi i cili vjen si pjesë e një procesi gjithëpërfshirës, transparent, me konsultimin, jo thjesht të qeverisjes qendrore dhe as vetëm të qeverisjes vendore, por të të gjithë faktorëve…”, tha Basha, duke nënvizuar se nuk ka pakt me Ramën për portin e ri.

Basha u përqendrua edhe  tek debati i fundit, ai për inceneratorët, për hetimin e të cilës është ngritur edhe një komision parlamentar.  “Vetëm skandali i fundit i inceneratorëve, ka nxjerrë në pah një abuzim prej 430 milionë eurosh. Nuk ka nevojë t’iu bëj unë llogaritë se çfarë mund të ishte bërë me këto para, qoftë për tërmetin në Durrës, qoftë për banesat në Durrës, qoftë për infrastrukturën ekonomike të Durrësit, qoftë për forcimin e infrastrukturës logjistike që në fakt është e Durrësit, por në fakt është kombëtare, porti, hekurudha, gjithçka tjetër, apo për turizmin.

Meqë ndërkohë zhvillohet edhe Komisioni për Inceneratorët, ka një informacion, këtu ka ekzistuar një landfill, Landfilli i Durrësit. Është mbyllur dhe është kaluar një vendim që 10 milionë euro të taksave të durrësakëve të shkojnë në të ashtuquajturin inceneratorin e Tiranës që në fakt është landfili i Tiranës, ju e keni parë që s’ka incenerator. Pra, me një llogari në më pak se një orë na dolën  vetëm me dy afera me Veliajn, 7 milionë të shpenzuara, kërkokan edhe 2.5 milionë të tjera dhe  10 milionë i kanë kaluar landfillit  të Tiranës dhe e kanë mbyllur landfillin e Durrësit. 20 milionë euro, janë taksa të qytetarëve durrësakë të cilët duhej t’i administronte bashkia e Durrësit për qytetarët durrësakë…Të zhdukësh, të gllabërosh 20 milionë euro ti, njërën ta bëj velierë e tjetrën ta djegësh në landfillin e Veliajt dhe s’shkojnë as për të djathtët as për të majtët ato para…”, tha ndër të tjera Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë