Politike

Inceneratorët, Këlliçi: Rama bëri milionerë një grusht njerëzish me paratë publike

Gazeta Si – Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi i është kthyer çështjes së inceneratorëve, ku u shpreh se një grusht njerëzish u bënë milionerë me paratë e qytetarëve shqiptarë.

Sipas tij, inceneratorët e Fierit, Elbasanit dhe Tiranës nuk djegin asgjë, veç 430 milionë eurove të parave publike dhe tokën nën këmbët e Edi Ramës.

Këlliçi theksoi se me faktet e bëra publike nga opozita, kanë dëshmuar, “se Edi Rama bën milionerë një grusht njerëzish. Prova tjetër është se, duke bërë këtë, ai varfëron qindra mijëra shqiptarë të tjerë. Pa dallim moshe, feje, gjinie, krahine apo ideje ai e ka treguar se bonuset e mëdha, rrogat hollivudiane, pasuritë publike, nga arka e shtetit në xhepa matrapazësh, frymëzohen dhe kalojnë nga ai”.

Këlliçi tha se Edi Rama po nervozohet nga opozita e re që është në këmbë dhe se dita e skandecës po i afron.

“Ai nervozohet nga opozita e re e cila është në këmbë, dhe për më shumë është e vërtetë, jo gjasme dhe jo part-time;  Ai e di se një pushtet i blerë vjen me një datë skadence”, tha demokrati në një deklaratë për mediat.

Këlliçi shtoi se tashmë opozita e re është në këmbë dhe do të kërkojë kreun e kësaj mega-afere.

“Mega-afera e inceneratorëve ka qenë, për muaj me radhë, kryefjala e aksionit të Partisë Demokratike, dhe do të vazhdojë të jetë. Kjo vjedhje e shkallës industriale nuk do të mbyllet me kokat e vogla të atyre që kanë hyrë dorëzanë në kërdinë e 430 milionëve, por do të kërkojë kreun e piramidës”, – u shpreh deputeti demokrat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë