Lëvizja Socialiste për Integrim i është drejtuar me një kërkesë SPAK për padinë e saj një vit më parë ndaj Erion Veliajt, Ëngjëll Agaçit Lefter Kokës dhe Alqi Bllakos lidhur me ecurinë e hetimeve për aferën e Inceneatorëve.
LSI thekson se afati maksimal për përfundimin e hetimeve është 2 vite. Për këtë arsye, LSI kërkon respektimin e këtij afati ligjor.
“Lëvizja Socialiste për Integrim, në datë 04.03.2021 ka depozituar një kallëzim penal në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ndaj: Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Z. Erion Veliaj; Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Z. Ëngjëll Agaçi; Titullarit të Autoritetit Kontraktor, ish Ministrit të Mjedisit, Z. Lefter Koka; Ish Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Z. Alqi Bllako; Komisionit të Dhënies me Koncesion për projektin “Për Ndërtim Landfilli, Inceneratori dhe Rehabilitim i Venddepozitimeve Ekzistuese Tiranë dhe Prodhimin e Energjisë Elektrike”.
Gjithashtu, në datë 16.12.2021 kemi depozituar pranë jush material me prova shtesë në funksion të hetimit të veprave penale të kallëzuara”, thuhet në kërkesën e LSI.
Si subjekt që ka në mënyrë të drejtpërdrejtë interes të ligjshëm lidhur me kallëzimin e depozituar, LSI kërkon nga SPAK informacion lidhur me:
”1) Statusin Juridik të procedimit penal; 2) Pa cenuar parimin e sekretit hetimor, aktet dhe provat e administruara nga Prokuroria si dhe informacion lidhur me personat që po hetohen nga Prokuroria dhe statusin penal që i atribuohet personave që po hetohen; 3) Nëse ka persona që kanë status penal “nën hetim” apo “të pandehur”, kërkojmë informacion lidhur me masat konkrete të sigurisë që janë marrë nga Prokurori i çështjes.
Sjellim në vëmendjen tuaj, se afati maksimal i parashikuar nga neni 323 dhe 324 I Kodit të Procedurës Penale, për përfundimin e hetimeve është 2 vjet. Në këto kushte do të vlerësonim maksimalisht respektimin e këtij afati ligjor nga Institucioni Juaj”, shkruan LSI.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje